Një ish-sekretare që ka punuar për komandantin e një kampi nazist përqendrimi është dënuar për bashkëpunim në vrasjen e më shumë se 10,500 njerëzve.
Irmgard Furchner, 97 vjeç, u mor si adoleshente në Stutthof dhe punoi atje nga viti 1943 deri në 1945. Furchner, gruaja e parë që u gjykua për krimet naziste në dekada, u dënua me dy vite burg.
Edhe pse ajo ishte një punëtore civile, gjykatësi pranoi se ajo ishte plotësisht në dijeni të asaj që po ndodhte në kamp. Rreth 65,000 njerëz mendohet se kanë vdekur në kushte të tmerrshme në Stutthof, duke përfshirë të burgosur hebrenj, polakë jo-hebrenj dhe ushtarë të kapur sovjetikë.
Furchner u shpall fajtore për ndihmë dhe nxitje në vrasjen e 10,505 personave dhe bashkëpunim në tentativën e vrasjes së pesë të tjerëve. Meqenëse në atë kohë ishte vetëm 18 ose 19 vjeç, ajo u gjykua në një gjykatë të posaçme për të mitur.
Në Stutthof, që ndodhet pranë qytetit modern polak të Gdanskut, u përdorën një sërë metodash për të vrarë të burgosurit dhe mijëra vdiqën në dhomat e gazit që nga qershori 1944. Gjykata në Itzehoe në Gjermaninë veriore dëgjoi të mbijetuarit e kampit, disa prej të cilëve kanë ndërruar jetë gjatë periudhave kur janë zhvilluar gjyqet.
Komente











