Ish-kryeministri i Spanjës, José Luis Rodríguez Zapatero, është vendosur zyrtarisht nën hetim penal për dyshime mbi korrupsion, ndikim të paligjshëm dhe favorizim të një kompanie ajrore që mori 53 milionë euro ndihmë shtetërore gjatë pandemisë Covid-19.
Zapatero, që drejtoi qeverinë spanjolle nga viti 2004 deri në 2011, është thirrur të paraqitet më 2 qershor para Gjykatës së Lartë Penale të Spanjës, në atë që konsiderohet një precedent historik për politikën spanjolle. Është hera e parë që një ish-kryeministër i vendit hetohet zyrtarisht penalisht.
Hetimi lidhet me kompaninë ajrore “Plus Ultra”, e cila në vitin 2021 mori një paketë shpëtimi prej 53 milionë eurosh nga shteti spanjoll gjatë krizës së pandemisë. Kompania kishte ngritur polemika të forta në Spanjë për shkak të lidhjeve të saj me biznesmenë venezuelianë të afërt me regjimin e Nicolás Maduro.
Sipas hetuesve, dyshohet se Zapatero ka përdorur ndikimin e tij politik për të ushtruar presion mbi Ministrinë e Transporteve, që në atë kohë drejtohej nga ish-ministri José Luis Ábalos, me qëllim miratimin e ndihmës financiare për kompaninë. Gjykata po heton nëse fondet publike janë përdorur në mënyrë të paligjshme dhe nëse një pjesë e parave janë përdorur për pastrim fondesh nga Venezuela përmes Francës, Zvicrës dhe Spanjës.
Sipas gjyqtarit të çështjes, ish-kryeministri socialist dyshohet se ka qenë pjesë e një “strukture hierarkike ndikimi”, e krijuar për të siguruar përfitime ekonomike për palë të treta përmes ndërhyrjeve tek institucionet shtetërore. Të martën, me urdhër të gjykatës, policia spanjolle kontrolloi zyrën e Zapatero-s në Madrid, si edhe ambientet e tre kompanive të tjera të lidhura me hetimin.
Në qendër të hetimeve ndodhet edhe biznesmeni Julio Martínez Martínez, i njohur si “Julito”, i arrestuar në fund të vitit të kaluar nga njësia antikorrupsion. Hetuesit dyshojnë se kompania e tij “Analisis Relevante” ka marrë pagesa të dyshimta që lidhen me fondet e “Plus Ultra”.
Një tjetër biznesmen i përfshirë në çështje, Víctor de Aldama, ka pretenduar se Zapatero ka marrë deri në 10 milionë euro komisione nga operacioni financiar, akuzë që ish-kryeministri e mohon kategorikisht. Në një video-mesazh pas publikimit të lajmit, Zapatero deklaroi se nuk ka kryer asnjë shkelje dhe se nuk ka ndërhyrë në asnjë procedurë shtetërore që lidhet me kompaninë ajrore.
“Dua të ritheksoj me forcë se nuk kam kryer asnjë veprim apo ndërhyrje në lidhje me shpëtimin financiar të Plus Ultra”, deklaroi ai.
Edhe gjatë një dëshmie në Senatin spanjoll në muajin mars, Zapatero kishte mohuar të kishte marrë komisione nga kompania, megjithëse pranoi se kishte kryer konsulencë për mikun e tij Julio Martínez. Nga ana tjetër, presidenti i kompanisë “Plus Ultra”, Julio Martínez Sola, ka deklaruar se ndihma financiare është dhënë sipas ligjit dhe pa asnjë favorizim politik.
Skandali po trondit politikën spanjolle në një moment kur edhe kryeministri aktual Pedro Sánchez përballet me akuza korrupsioni që prekin familjarë dhe ish-zyrtarë të afërt të qeverisë së tij.
Muajin e shkuar, bashkëshortja e Sánchez, Begoña Gómez, u akuzua për shpërdorim fondesh, ndikim të paligjshëm dhe korrupsion në biznes, ndërsa vëllai i kryeministrit, David Sánchez, pritet të dalë në gjyq për akuza të ngjashme. Opozita konservatore në Spanjë ka reaguar ashpër pas lajmit për hetimin ndaj Zapatero-s, duke deklaruar se “korrupsioni po lidh dy kryeministrat e fundit socialistë të vendit”.
Komente





