Kryeministri iraken, Nuri Al-Maliki i është përgjigjur negativisht thirrjes së diplomatit amerikan John Kerry për krijimin e një qeverie të re uniteti në Irak. Gjatë një dalje për shtyp, Maliki ka kundërshtuar krijimin e qeverisë së re, duke e cilësuar si një grusht shteti kundër Kushtetutës dhe procesit politik në vend.

“Një qeveri e shpëtimit kombëtar përbën puç ndaj Kushtetutës dhe procesit politik. Prapa kërkesave të tilla qëndrojnë qëllime të rrezikshme. Me një qeveri uniteti do të groposej procesi demokratik në Irak dhe do të vidheshin votat e popullit”, tha Maliki.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry ka biseduar me liderët e rajonit autonom kurd, në pjesën veriore, duke kërkuar nga ata që ta mbrojnë unitetin e Irakut. Sapo ekipet e para të këshilltarëve amerikanë mbërritën në Irak, raportohet se militantët islamikë kanë sulmuar bazën ajrore të al-Bakrit, në veri të kryeqytetit. Militantët sunitë, të udhëhequr nga Shteti Islamik i Irakut dhe grupi Levant, kanë marrë nën kontroll deri më tani territore të mëdha në pjesën veriore dhe perëndimore të vendit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)