MILANO (ITALI) - Një alarm i rremë për bombë është përhapur sot pasdite (të martën) rreth orës 17.30 në konsullatën e përgjithshme të Shteteve të Bashkuara në Milano të Italisë, në zonën Turati.

Lajmi u shkaktua prej një letre dyshuese, e dërguar në selinë diplomatike në mëngjes, por që u hap pasdite. Letra ishte pa një adresë të saktë, por në brendësi i referohej disa situatave politike në vend. Në brendësi të letrës me një «A» shkruhej dhe prania e një bombe.

Pas kësaj selia e konsullatës është evakuuar, sikurse edhe ajo e Radio Montecarlo, e vendosur pranë saj. Për disa minuta u mbyll edhe hyrja në linjën e verdhë metropolitane të rrugës Principe Amedeo. Por pas gjysmë ore çdo gjë u rikthye në normalitet; nga kontrollet policore u mësua se alarmi ishte i rremë.

Vendimi për të evakuuar konsullatën erdhi drejtpërdrejt nga ambasada amerikane në Romë, e kontaktuar nga konsullata milaneze pas zbulimit të letrës. Një vendim ky, që siç nënvizojnë disa burime të sigurisë, i përgjigjet një procedure specifike dhe nuk lidhet me ndonjë alarm real.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)