TIRANE-Një telefonatë për bombë në parkingun e Bashkisë së Tiranës dhe Xhamisë së "Et'hem Beut", në qendër të Tiranës ka alarmuar policinë e kryeqytetit.

Telefonata mbërriti në sallën operative të policisë dhe prej orës 10: 30 - 11:30 policia rrethoi zonën e parkimit të automjeteve, në krah të xhamisë dhe të stacioneve të autobusëve në rrugën "28 Nëntori", pranë sheshit "Skënderbej" dhe forcat xheniere kontrolluan imtësisht të gjitha makinat.

Për më shumë se 90 minuta thuajse është paralizuar aktiviteti i Bashkisë dhe ritet e të Premtes së Xhumasë në Xhami.

Ekspertët e njësisë së Xhenios së Repartit Special RENEA, kanë kontrolluar me pasqyra, qenë dhe mjete antieksploziv të gjitha mjetet dhe ambjentet brenda perimetrit të rrethuar nga Komisariati Numër 1. 

Nga kontrollet nuk është konstatuar asnjë substacë e dyshimtë apo e rrezikshme, dhe janë kontaktuar pronarët e mjeteve që ndodheshin në parkim të kryenin zhvendosjen e tyre.

Sipas policisë, alarmi ka rezultuar fals dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e autorit të telefonatës, si edhe të motivit për të krijuar një situatë të tillë paniku në qendër të kryeqytetit


alarm per bombe
(Foto: Ekspertë duke kontrolluar për eksploziv në një prej makinave të parkuara te parkingu i Bashkisë) Foto të tjera

alarmi per bombe bashkia
(Foto: Ekspertë duke kontrolluar për eksploziv në një prej makinave të parkuara)


ORA 11: 30
Në orën 11: 30 Forcat e xhenios janë larguar nga vendi i ngjares dhe është hequr shiriti që rrethonte zonën e cilësuar  perimetër me rrezikshmëri. Një punonjës i policisë i tha gazetarit tonë Arsen Rusta se zona rezulton e pastër. 

ORA 11: 27 KONTROLLOHET IMTESISHT CDO MAKINE
Makina e sekretarit të këshillit të bashkisë së Tiranës i është nënshtruar kontrollit të imtësishëm nga forcat xheniere. Më pas pas është lejuar të largohet nga parkingu. “Makina iu nënshtrua kontrollit të plotë, dhe tani  po lëviz. Gjithçka është normale,” tha ai në një prononcim direkt për Tv A1 Report . 

ORA 11:08 VIHEN ANTENA QE NEUTRALIZOJNE CDO VALE CELULARE
Ekspertët e xhenios kanë vendosur 2 antena që neutralizojnë çdo valë celulare për të shmangur ndonjë shpërthim të mundshëm. Gazetari ynë Arsen Rusta informon se të gjitha automjetet po kalojnë nën kontroll.

”Për të shmangur çdo dyshim të mundshëm, janë vendosur dy antena që neutralizojnë valët celulare. Kontrollet bëhen me qentë antieksplozivë dhe pasqyra" - raporton Arsen Rusta nga vendi i ngjarjes.

10: 38 ALARM PER BOMBE PRAPA BASHKISE SE TIRANES
Alarm për bombë prapa bashkisë së Tiranë. Policia rrethon zonën dhe pritet ardhja e forcave xheniere.  Edhe një pjesë e stafit të bashkisë u evakua.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)