TIRANE - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar në lidhje me alarmin fals për bombë gjatë momentit kur kjo parti dhe shoqata Çamëria do zhvillonin aktivitet në ambientet e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

“Tashmë, që rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame është në Kuvendin e Shqipërisë dhe që rizgjimi i kësaj çështjeje është një fakt, asnjë tentativë për të ngjallur frikë nuk do të na zmbrapsi” bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të PDIU-së.

PDIU kërkon nga Policia e Shtetit të identifikojë autorët e kësaj telefonate dhe t’i vendosi ata përpara ligjit, “për të treguar qartë fytyrat antishqiptare që gjenden në shtetin shqiptar.”

“Sot, në Durrës, mijëra shqiptarë, të Çamërisë e çdo treve tjetër po shprehin mbështetjen e tyre ndaj rezolutës dhe kjo gjë do të ndodhi çdo ditë në çdo cep të Shqipërisë. Të gjithë ata që mendojnë se do të mund ta ndalin frymën e ringjallur të shqiptarëve, do të përballen me të drejtën dhe të vërtetën, e vetmja e cila do të mbijetojë” përfundon deklarata.

Këtë pasdite në ambientet e Pallatit të Kulturës në Durrës, shoqata Çamëria dhe PDIU ishin duke mbajtur një aktivitet në mbështetje të rezolutës për çështjen çame, kur u dha alarmi për vendosjen e një eksplozivi në këto ambiente, i cili pas kontrollit të nga forcat e policisë rezultoi të ishte fals.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)