MOSKE - Zbardhet lëshimi i raketave në Mesdheun lindor. Pas akuzave të Rusisë dhe përgënjeshtrimit të ardhur nga Izraeli, ky i fundit ka pranuar se i kishte lëshuar raketat pasi po testonte mbrojtjen raketore.

ORA 12.32 IZRAELI PRANON: PO TESTONIM MBROJTJEN
Zbardhet lëshimi i raketave në Mesdheun lindor. Agjencia e lajmeve, Reuters njofton se, Izraeli ka pranuar se ka lëshuar dy raketa balistike.

Sipas të njëjtave burime, Izraeli ka pranuar se ka lëshuar dy raketa pasi po kryente një test të mbrojtjes raketore së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

ORA 11.40 JANË LËSHUAR DY RAKETA BALISTIKE
MOSKË
- Qeveria ruse me anë të Ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka bërë të ditur se në ekranet e radarëve të tyre janë evidentuar dy shenja, të raketave balistike që janë nisur nga Mesdheu lindor. Sipas agjencisë ruse të lajmeve, Intefax, ngjarja është raportuar rreth orës 8.16 minuta ose 10.16 minuta me orën lokale në Moskë.

Ministri Shoigu mësohet se ia ka raportuar këtë ngjarje Presidentit rus, Vladimit Putin. Sipas komunikatës së lëshuar nga ministria ruse, sinjali është kapur nga radarët e stacionit Armavir në jug të Rusisë.

Por ka ardhur edhe reagimi i parë pas këtij lajmi. Sipas, Reuters, Izraeli ka bërë të ditur se, nuk ka bërë asnjë lëshim raketash apo ketë dijeni për ndonjë lëshim të raketave nga aleatët e saj.

Gjithashtu një reagim ka ardhur edhe nga ambasadori rus në Damask. Siç e ka cituar agjencia Itar-Tass, ambasadori ka bërë të ditur se nuk ka asnjë sulm me raketë në kryeqytet apo në ndonjë zonë tjetër të Sirisë.

Në një reagim të pak minutave më parë nga Rusia, burime ushtarake të cituara nga "RIA Novosti" kanë bërë të ditur se, dy raketat e nisura nga Mesdheu lindor kanë rënë në det. E sërish ka qenë Izraeli që ka reguar duke thënë se, nuk u rezulton diçka e tillë.

 Redaksia online
(ac/sg/shqiptarja.com)