Qeveria e Kosovës ka shpallur paketën më të madhe financiare motivuese në historinë e sportit. 1.5 milion euro shpërblime për futbollistët, nëse përfaqësuesja arrin të sigurojë kualifikimin në Kupën e Botës 2026. 250 mijë euro janë dhënë për sigurimin e fazës play-off, 500 mijë do jepen për kalimin e gjysmëfinales. 1 milionë euro në rast suksesi në finalen e play-off, që do të thoshte arritjen më të madhe për 'Dardanët'.

Ka qenë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka premtuar 1 milion euro shpërblim në rast se përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të kualifikohet në Botërorin 2026.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë të enjten, Albin Kurti bëri të ditur se kanë ndarë 250 mijë euro shpërblim për suksesin historik të Kosovës për kualifikim në play-off e Botërorit. 500 mijë euro do të ndahen nëse kalohet Sllovakia në gjysmëfinale.

“Në fazën e radhës hyjmë me plot vetëbesim. Në rast të fitores ndaj Sllovakisë zotohemi për shpërblim 500 mijë euro. Në rast të kualifikimit në Botëror zotohemi për 1 milion euro shpërblim”, ka thënë Kurti.

Kosova luan më 26 mars në Bratislavë kundër Sllovakisë. Në rast fitoreje, do ta luajë ndeshjen vendimtare për kualifikim në Botëror në Prishtinë me fituesin e ndeshjes Turqi - Rumani.

Qeveria e Kosovës gjithashtu ndau mbi 23 mijë euro për arritjet e klubit të futsallit, Prishtina 01, në Ligën e Kampionëve.