Albin Kurti është pyetur gjatë një inaugurimi këtë të enjte, mbi shtyrjen e afatit për vendim në lidhje me ish krerët e UÇK që ndodhen në paraburgim në Hagë. Kurti u shpreh se qeveria e Kosovës u informua nga mediat në lidhje me vendimin e panelit të gjykatësve në Hagë.
“Sa i përket Gjykatës Speciale dhe shtyrjes për dy muaj të vendimit, ne e morëm vesh njësoj sikurse ju, për shkak se qeveria nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që ndodhin në Gjykatën Speciale, e cila nuk karakterizohet nga transparenca ndaj vendit tonë. Kosova ka nevojë për gjykata normale, jo për gjykata speciale. 3 gushti i vitit 2015 është ndër ditët më të rënda të Kosovës së pavarur” tha Kurti.
Sipas tij Kosova ka nevojë për gjykata normale dhe jo speciale si ajo me të cilën po përballen Hashim Thaçi dhe ish krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Lufta e UÇK-së ishte dhe gjithmonë do të mësohet në histori si luftë e drejtë kundër një okupatori gjenocidal. Ishte luftë antikolonialiste. Ky ishte gjenocidi i katërt që ka bërë Serbia ndaj popullit tonë. UÇK-ja, si pjesë e luftës çlirimtare, është një luftë që gjithmonë duhet të kujtohet, të mbrohet dhe të mësohet. Është e domosdoshme që të nxirren mësimet nga gabimet politike që janë bërë dhe që na kanë sjellë në këtë situatë. Ne kemi një gjykatë speciale që i vonon vendimet e saj. Besojmë në drejtësinë e luftës dhe pafajësinë e krerëve të UÇK-së që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Hagë” u shpreh Kurti.
Gjykata Speciale konfirmoi këtë të mërkurë se paneli I gjykatësve vendosi të shtyjë për në 20 Korrik datën për dhënien e një vendimi ndaj ish krerëve të UÇK me arsyetimin se çështja ndaj tyre është voluminoze dhe komplekse. Në të njëjtën kohë, ‘Sepcialja” ka lënë të hapur mundësinë edhe për shtyrje të tjera. Akuza ka kërkuar për Thaçin, Krasniqin, Selimin dhe Veselin dënim me 45 vite burg.
Komente










