Albpetrol, amerikanët e drejtori: Vlen 497 mln USD

TIRANE- Gjatë intervistës në emisionin "Opinion", në dhjetor 2011, i pyetur për çmimin e shitjes së kompanisë shtetërore, kryeministri Sali Berisha u përgjigj se "nuk e di, ia kemi lënë një konsulenti të famshëm ndërkombëtar". Konsulenti ndërkombëtar është firma amerikane "Patton Boggs", po ajo që kontribuoi në privatizimin e ARMO-s dhe që, në sajtin e vet, në vitin 2010 shprehej se Albpetrol vlente 497 milionë dollarë. Por, më 16 dhjetor 2011, kompania "Patton Boggs" deklaronte se qeveria e Shqipërisë do të shesë kompaninë Albpetrol dhe, sipas agjencisë amerikane të lajmëve Associated Press, asetet e kompanisë janë vlerësuar në 420 milionë dollarë. METE ka kërkuar asistencën e "Patton Bogs" për privatizimin dhe ekipin po e udhëheqin emra të njohur që në privatizimin e ARMO-s, tre vite më parë, siç janë Xhud Këri dhe Dejvid Faber që këshilluan qeverinë shqiptare për shitjen me 160 milionë euro të rafinerisë së naftës ARMO në 2008.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, më 21 korrik 2010, Ferdinand Murati, drejtor i Albpetrolit, shprehej kundër privatizimit të plotë të ndërmarrjes, ide që ishte hedhur më se një vit para se vendimi të votohej në parlament. Sipas Muratit, në 2009 Albpetroli kishte patur 3 milionë dollarë fitime dhe në gjashtë muajt e parë të 2010-ës kishte prodhuar 8 mijë tonë më shumë naftë të papërpunuar se planifikimi. Sipas Muratit, vlera e aseteve të Albpetrolit, përfshirë ndërtesat, dhe infrastrukturën, rrjetin e transportimit të naftës, etj, llogaritej në 497 milionë dollarë.

Këtë shifër që jepte drejtori i përgjithshëm aktual i Albpetrolit e përsëriste edhe kompania amerikane "Patton Boggs", një ditë më pas, duke iu referuar sajtit "Balkans.com", në korrik 2010 dhe që gjendet në faqen e kompanisë pattonboggs.com.
(sg/gk/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim