VLORE- Projektit “Shqipëria dhuron”, të iniciuar nga Ministria e Mireqënies Sociale dhe Rinisë, I janë bashkuar edhe “ALBtelecom” dhe “Eagle Mobile”.
 
Në eventin e organizuar në këtë prag festash në ambientet e “Konad” në Vlorë për individët me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre, është përcjellë mesazhi: “Ata nuk janë persona me aftësi të kufizuara; Ata janë persona me aftësi të veçanta”.
 
Në këtë aktivitet ku mbizotëroi një atmosferë e ngrohtë familjare morën pjesë Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Drejtoresha e Shërbimit social shtetëror kombëtar Etleva Bisha, Drejtoresha e Zyrës Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, qarku Vlorë, Ines Stasa, Drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun në ALBtelecom dhe Eagle Mobile, Alban Tartari, kryetari i Shoqatës së invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë Hysen Muhameti.
 
Në kuadër të ndihmës së ofruar ndaj personave me aftësi të kufizuar, ministri Veliaj tha se do të ketë mbështetje të veçantë për kompanitë që punësojnë persona nga ky komunitet.
 
Duke dhënë mesazhin “Nuk Varfërohemi Duke Dhënë”, ministri Veliaj ka falenderuar së pari qytetarët e thjeshtë dhe në veçanti stafin e kompanisë ALBtelecom që ka kontribuuar me ndihma për njerëz dhe familje në nevojë.
 
Ndërkaq, Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në “ALBtelecom” dhe “Eagle Mobile”, Alban Tartari, është shprehur se kontributi dhe bashkimi në këtë nismë do të vazhdojë edhe në vitin në vijim.
“Ndjehemi të lumtur që iu bashkuam thirjes së Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”, tha Tartari.
 
Aktiviteti ka nisur me një koncert të nxënësve të shkollës jo publike “Internacional”, të cilët kishin ardhur për të mbështetur bashkëmoshatarët e tyre të vegjël.
 
Gjatë eventit është organizuar ekspozita me punimet e fëmijëve dhe të rinjve të komunitetit me aftësi të kufizuara si dhe është shtruar një koktejl për të gjithë të ftuarit.
 
ALBtelecom ka shpallur edhe fituesit e një konkursi për punimin më të bukur vizatim/pikturë, ku fituesit kanë qenë Amarildo Sadiku, Fjori Rrapaj, Amarildo Sinomati dhe Ariel Koritari, të cilët janë shpërblyer me dhurata. Për të gjithë të pranishmit, fëmijë e familje në nevojë të qarkut Vlorë u shpërndanë edhe shumë dhurata të tjera, ushqime dhe veshmbathje.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)