“Kur historitë na lidhin” është tema që Panairi i Librit në Lajpcig ka zgjedhur si moto të edicionit të këtij viti, që hap siparin më 19 mars. Shqipëria do t’i bashkohet edhe këtë vit kësaj ngjarjeje të rëndësishme në fushën e librit, në hapësirën e përbashkët të Tradukit, së bashku me vendet e Europës Juglindore.
Në një kohë tensionesh globale, Astrid Böhmisch, drejtoresha e Panairit, zgjedh ta orientojë këtë hapësirë të madhe dialogu drejt historisë dhe kujtesës. Ajo beson se historia përbëhet nga një fije e padukshme që lidh përvojat e njerëzve përtej kufijve, ideologjive dhe kohëve.
Sot, kur bota përjeton një ankth të ri global të mbushur me konflikte, pasiguri politike dhe kriza identitare, rikthimi te historitë e së shkuarës merr një kuptim tjetër. Ato nuk janë vetëm rrëfime për atë që ka ndodhur, por struktura të gjalla që ndihmojnë të kuptojmë veten dhe njëri-tjetrin.
Në posterin që kemi zgjedhur për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë panair, shfaqet fotografia e dy vajzave partizane. Një fragment i vogël i së shkuarës sonë që rikthehet në një hapësirë ndërkombëtare libri, duke na kujtuar se lufta dhe rezistenca kanë prekur jetët e njerëzve në mënyrë të ngjashme në të gjithë Europën. Për mua, ky imazh është edhe një kujtesë e historisë sonë, e grave shqiptare që iu bashkuan luftës dhe që mbeten ende pak të njohura jashtë vendit.
Kur Astrid Böhmisch më pyet për to, i përgjigjem me humor se “ato luftuan kundër gjermanëve”. Pas këtij imazhi ka rënë mjegulla. Librat mbi Luftën Nacional-Çlirimtare nuk janë përkthyer ende në gjuhë të tjera. Dhe pikërisht këtu fotografia bëhet një urë që fton historinë të dalë nga arkivat dhe të hyjë në dialog me lexues të tjerë.
Fotografia, ashtu si libri, është një formë kujtese. Ajo e ngrin një moment në kohë, ndërsa libri e rrëfen atë. Njëra na jep fytyrën e historisë, tjetra zërin e saj. Kur këto dy forma takohen në një panair libri, ato krijojnë një hapësirë ku kujtesa personale dhe historia kolektive fillojnë të komunikojnë.
Përvoja e Gjermanisë Lindore dhe ajo e komunizmit shqiptar krijojnë gjithashtu një dialog të heshtur. Dy sisteme që ndërtuan realitete të mbyllura, dy shoqëri të rrethuara nga kontrolli ideologjik, por edhe nga një kulturë e brendshme rezistence. Në të dyja rastet, arti dhe letërsia u bënë hapësira ku e vërteta shpesh shfaqej në mënyrë të tërthortë: në metaforë, në heshtje, në kujtime personale që sfidonin narrativën zyrtare.
Sot, kur flasim për një “luftë globale”, jo vetëm në kuptimin ushtarak, por edhe në atë kulturor dhe informativ, duket sikur bota po hyn sërish në një klimë ankthi të njohur. Ideja e një bote të ndarë, e blloqeve ideologjike dhe e propagandës që formëson realitetin publik rikthehet në forma të reja.
Por, në këtë fragmentim të ri kultura mbetet një territor i përbashkët. Ajo krijon ura atje ku politika ndërton kufij.
Këtu hyn roli i librit. Libri është një nga format më të qëndrueshme të kujtesës kulturore. Ndryshe nga zhurma e përditshme e informacionit, ai kërkon kohë, përqendrim dhe dialog të brendshëm. Në faqet e tij, historitë personale bëhen pjesë e historisë kolektive.
Një kujtim nga Tirana e viteve të izolimit mund të flasë me një kujtim nga Berlini Lindor; një përvojë e vogël njerëzore mund të ndriçojë një epokë të tërë.
Në këtë mënyrë, historitë nuk janë vetëm dëshmi të së shkuarës, ato janë mekanizma lidhjeje. Ato na mësojnë se frika, shpresa dhe dëshira për liri nuk janë përvoja të izoluara kombëtare, por impulse universale. Në kohë ankthi global, libri bëhet vendi ku këto impulse ruhen dhe qarkullojnë.
“Kur historitë na lidhin” nuk është thjesht një titull; është një pohim estetik dhe etik. Ai sugjeron se në një botë të fragmentuar, rrëfimi mbetet forma më e fuqishme e bashkimit. Dhe ndoshta pikërisht aty, mes kujtesës dhe imagjinatës, lind mundësia që kultura të na rikujtojë se historia, pavarësisht plagëve të saj, mund të jetë ende një hapësirë dialogu.
Komente
