TIRANE- Aldo Bumçi deklaroi dje se mazhoranca po bënë një luftë civile ndaj opozitës. Në një intervistë të dhënë dje për radion “Alania News”, deputeti demokrat u bazua tek lëvizjet e fundit të bëra në administratën publike si edhe në vendimin e refuzimit të statusit kandidat nga BE-ja. Sipas tij, ky vendim erdhi për shkak të shkeljes së konsensusit nga ana e mazhorancës duke “peshkuar” deputet demokrat. “Vendimi në qershor nuk është një vendim automatik dhe do të shikohet sjellja e qeverisë dhe nëse qeveria shqiptare e lexon vendimin siç ka bërë deri më sot, se ishin ekstremistët europian që penguan në marrjen e statusit ne rrezikojmë.

Kancelarja Merkel, Kryeministri Cameron dhe Presidenti Holonde nuk përfaqësojnë forca ekstremiste në Europë. Nëse ky është leximi, apsolutisht ne rrezikojmë. Në Shqipëri mungon konsensusi politik, bashkëpunimi politik. Ne kemi një luftë civile kundër kundërshtarit, kundër opozitës me të gjhitha mënyrat. Heqin njerëz nga puna, procese gjyqsore ndaj kundërshtarit, sulm ndaj opozitës, një gjuhë të dhunshme në parlament, peshkimi i deputetëve në Kuvend”,- theksoi Bumçi.

Lidhur me ndryshimet që po bëhen në Partinë Demokratike, deputeti demokrat theksoi se këto u vonuan pasi është dashur kohë që të konsolidohej puna e opozitës. Sipas Bumçit, ndryshimi i statutit është i domosdoshëm për të konsoliduar edhe më shumë pozitat e Partisë Demokratike tek elektorati. “Unë mendoj se tre muaj ishin të nevojshëm për të organizuar jetën tonë parlamentare, qendrimet, muaj intesiv për shkak të sjelljes së qeverisë. Procesi do të nis në fund të muajt janar dhe fillim te muajt shkurt. Risia më e madhe besoj se është dorëheqja e zotit Berisha dhe ardhja e zotit Basha. PD synon disa gjëra.

Këto zgjedhje duhet dhe do të përmirësojnë ndjeshëm si anën organizative të burimeve njerëzore, ripërtëritjen e partisë, thithjen e të gjithë kontributeve, pra bashkimi i të gjithëve që kanë kotribuar. Thithjen e të rinjve. Ky është një proces i domosdoshëm. Për statutin unë nuk kam dijeni, por mendoj se është e rëndësishme që votimi me një anëtar një votë të jetë në statut”, tha Aldo Bumçi. Sa për çështjen e kryebashkiakut të Kamzës, ish-ministri i Jashtëm pohoi se ndaj tij janë ndjekur dy standarde pasi padia e ngritur nga prokuroria kishte të bënte me shpërdorim detyre, çka do të thotë se ai mund të ndiqej penalisht edhe në gjendje të lirë dhe jo me masë arresti me burg.

 
Shkrimi u publikua sot (15.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)