Aleanca kundër Edi Ramës 
Pesë kushtet e PD për LSI

Aleanca kundër Edi Ramës <br />Pesë kushtet e PD për LSI
Deputetë dhe përfaqësues të forumeve të larta të Partisë Demokratike nuk e përjashtojnë mundësinë e një bashkëpunimi politik me Lëvizjen Socialiste për Integrim, kundër kryeministrit Edi Rama dhe shumicës që kryeson, por me disa kushte që duhet të plotësohen dhe pranohen nga ana e LSI.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike shprehen për Shqiptarja.com se, mirëpresin çdo forcë politike për të bërë opozitës të përbashkët kundër keqqeverisjes, por kërkojnë që PD të ketë rolin e dorës së parë në opozitbërjen.

Gjithashtu, sipas tyre, LSI duhet të reflektojnë për rolin e saj negativ gjatë bashkëqeverisjes katërvjeçare me PS, të realizojë një katarsis të vërtete brenda vetes, të fitojë moralin politik, të heqë dorë nga taktikat politike si dhe të japë prova se mbetet një parti opozitare.

“Së pari Partia Demokratike ka qenë parti në pushtet ashtu siç ka provuar të jetë edhe në opozitë. PD është partia opozitare, e cila e ka në genin e saj opozitarizmin, pasi ka lindur si parti opozitare. PD është partia e parë opozitare dhe mirëpret çdo force politike, qoftë edhe deputetë apo individë të veçantë të bëjnë opozitë të përbashkët ndaj kësaj keqqeverisje”, u shpreh deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi.

Reagimi i zonjës Çupi vjen pas një ftese të përsëritur të kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, e cila ftoi Partinë Demokratike për t’u bashkuar në një front opozitar kundër kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.

Në një linjë me deputeten Çupi është edhe kryetari i Forumit të Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi. “Mendimi im është se Partia Demokratike do të ketë rolin e dorës së parë në opozitëbërjen në këto katër vite, si forta e më e madhe opozitare në vend dhe sigurisht organizata që unë drejtoj, FRPD, do të luajë rolin e saj parësor në opozitë.

Sa i takon partive të tjera politike, të cilat kërkojnë që t’i bashkohen frontit opozitar, është i mirëpritur çdo subjekt politik, që në fokusin kryesor do të ketë denoncimin e keqqeverisjes dhe Edi Ramën si përgjegjësin kryesor të saj”, u shpreh Këlliçi.

Reflektim për rolin në bashkëqeverisje
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, gjatë një prononcimi për Shqiptarja.com, e sheh si një strategji për të rënë në sy dhe për të marrë flamurin e opozitarizimit ftesën e LSI për t’u bashkuar në një front opozitar.

Deputeti Boçi ka kërkuar nga LSI një reflektim për dështimet, sipas tij, gjatë bashkëqeverisjes katërvjeçare me PS. Boçi thotë se larja e duarve nga krimi dhe droga nuk mund të përkthehen në opozitarizëm të fortë. “Ka një lloj nxitimi të LSI në fakt për të rënë në sy si "opozitë e fortë", si të thuash duke "shtyrë paksa me bërryl" si nxënësi që kërkon të bjerë në sy, për të marrë flamurin e opozitarizmit. Edhe deklarimet për ftesa ndaj PD kështu duken.

Unë e përkrah devizën që opozita nuk është çështje numrash, por shpirt. Por njëkohësisht them që opozita nuk është thjesht çështje fronti apo nënshkrimesh deklarative. Është çështje vullneti, çështje idealesh dhe bindjesh.

Opozita është të jesh gjithmonë në një llogore, e cila nuk ka porta për të luajtur sipas interesit. Njëkohësisht kërkon një reflektim një mea culpa për rolin që LSI luajti si shkalla mbi të cilin u ngrit sot Edi Rama. Nuk besoj se larja e duarve nga krimi, nga droga, dështimet bashkëqeverisëse në arsim, shëndetësi e kudo, përkthehen në opozitarizëm të fortë. LSI mjafton t’i bindet llogores dhe në këtë rast ka respektuar dhe frontin”, thotë Boçi.

Ironizon Ndoka
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i zgjedhur deputet si pjesë e listës së Partisë Demokratike, ka ironizuar ftesën e LSI adresuar PD për t’u bashkuar në një front opozitar.

Ndoka shprehet për Shqiptarja.com se LSI mbetet një parti ‘presidenciale’, e cila ndryshon taktikat politike sipas rrethanave që krijohen. Ndoka thotë se LSI duhet të japë prova se mbetet vërtetë një parti opozitare.

“Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të japë prova se mbetet një parti opozitare. Por, sipas gjykimit tim, pjesa programore dhe taktikat thellësisht pragmatiste të LSI janë pengesë për t’u bashkuar në një front opozitar. LSI mbetet një parti ‘presidenciale’, e cila ndryshon taktikat politike sipas rrethanave që krijohen”, pohon Ndoka.
 
Kushtet e PD për LSI
Partia Demokratike të ketë rolin e dorës së parë në opozitëbërje.
LSI të reflektojë për rolin e saj gjatë bashkëqeverisjes katërvjeçare me PS.
LSI të realizojë një katarsis të vërtete brenda vetes.
LSI të fitojë moralin politik.
Të japë prova se mbetet në parti opozitare. 

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie