DURRËS - Është sulmuar gjatë natës zyra elektorale e Aleancës Popullore në Durrës. Përfaësues të AP thonë se me paraqitjen e aktivistëve në mëngjes rreth orës 8 e 30 minuta është konstatuar se zyra është sulmuar, xhamat janë thyer, dhe janë shkulur flamujt.

“Është bërë denoncimi në polici e kanë ardhur policët në vendngjarje. Na thanë menjëherë që zyra është sulmuar nga një i dehur gjatë natës. Versioni nuk na duket i besueshëm duke patur parasysh që agresorët nuk kanë prekur bazë materiale brenda dhe ndërkohë rruga është e mbushur me objekte tregtare që mund të ishin fare lehtë pre e sulmeve si ato që pretendon policia.

Rrethanat na shtyjnë të mendosh për një sulm me sfond politik dhe jo me qëllime ordinere hajdutërie”, thuhet në njoftim. Sipas tyre, zyra ndodhet në rrugën tregtare në bulevardin kryesor të Durrësit.

Kronika u transmetua gjatë orëve të paradites nga TV e lajmeve dhe më pas është hequr nga transmetimi. AP, që ka numrin 3 në fletën e votimit është partia që përfaqëson komunitetin çam në zgjedhjet e 23 qershorit.

“Zoti Idrizi duhet të ruajë qetësinë dhe të ndalojë tentativat e korruptimit të medias, që janë marrë vesh tashmë në gjithë Tiranën”, thuhet në njoftim.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)