TIRANE -  Partia "Aleanca Popullore, pjesë e koalicionit “Aleanca për një Shqipëri Europiane”, hapi sot fushatën elektorale në Tiranë në pallatin e sportit "Asllan Rusi" me prezantimin e kandidatëve për deputetë. Dy personazhe të njohur të artit u ngjitën në podium: poeti Arben Duka, që do të kandidojë në Gjirokastër dhe aktori i humorit, Sejfulla Myftari, i cili mbështeti mikun e tij kandidat, Arjan Hamiti.

Poeti Arben Duka, kandidat i AP-së, tha: “Përshëndetje Gjirokastra! Partia Aleanca Popullore nuk është vetëm një parti e çamëve. Prezenca ime tregon se ajo është shumë më tepër se Lëvizja Çame. Ndjehem i vlerësuar që partia më ka ftuar të konkuroj për ju. Falenderoj kryetarin tuaj nga fisi më i nderuar i Çamërisë, Dojaka, që më ftoi të kandidoj. Ne jemi nr. 3 listën e votimit, por nr.1 i aleancës së majtë. Partia jonë do bëjë të mundur të heqë një pushtet kriminal, që ka vrarë në 21 janar dhe kjo është e vetmja arsye që duhet të ikë nga pushteti”, - tha Duka.   

Më pas, aktori i humorit Sejfulla Myftari u ngjit në podium si mbështetës i kandidatit Arjan Hamiti, mik i tij. Sapo hipi në skenë, thirri: "Yyyp xhixhi!" duke ngjallur entuziazëm e më tej: "Të rrojë Çamëria! Kam nderin të mbështes mikun tim Arjan Hamiti! A do fitojë apo jo?! Do të fitojë apo jo?!", - tha ai. -"Po e thyej pak monotoninë: Më pyet njeri në rrugë e më thotë: Ceke, si të pëlqen ty të jesh, i bukur apo budalla? Unë I thashë, ej, ëhëhëhë, më mirë budalla! Po pse tha ai, pse? Po bukuria shkon e vjen, budallai ngel", - tha ai mes të qeshurave të përgjithshme. Ja, kështu, po ia le radhën Arjanit tani. Fitore!"

Një prej kandidatëve të AP-së, që foli gjatë takimit, tha: "Për 70 vjet, komuniteti çam u shpërfill nga qeveritë shqiptare, por nuk e humbi shpresën, sepse pas viteve ’90, krijoi shoqatën dhe më vonë dhe edhe partinë. Ne e duatrokitëm në fillim PDIU-në,por më pas u zhgënjyem, edhe unë, ndaj ne iu bashkuam Aleancës Popullore dhe ju sugjeroj se nuk do zhgënjehemi. Është e vetmja shpresë. 23 Qershori është dita që na ndan nga prapambetja drejt progresit.  Kjo datë do ta ndajë njëhërë e përgjithmonë komunitetin çam, që e mashtroi duke iu bashkuar PD-së." 

Një tjetër kandidat solli thirrjen e Martin Luter King: "Martin Luter King thoshte “I have a dream” dhe unë them sot “I have a dream”, që është ëndrra e Shqipërisë europine, ëndrra e lëvizjes çame. Nimet Musai, kandidati për deputet i Fierit, theksoi në fjalën e tij se "ata që pretenduan se bënë gjithçka për kauzën tonë, nuk bënë asgjë."

Në përfundim, e mori fjalën kryetari i partisë, Artur Dojaka, i cili u shpreh: "Jemi të bindur që ndryshimet i sjell politika dhe ajo duhet të përfaqësohet nga elitat dhe jo nga militantët politikë. Ky ortek bindjeje dhe mbështetje tashmë e ka një emër: Aleanca Popullore! Ne vijmë tani si pjesë e koalicionit fitues, me qëllim përfaqësimin dinjitoz jo vetëm të komunitetit çam, por të çdo shtrese popullore, për shqiptarët anembanë botës!"

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)