KUKËS-  Aleanca për Teatrit do të dorëzojë ditën e nesërme në SPAK dy dosje të reja për akuzën tentativë "vrasje të artistëve". Lajmi është bërë i ditur nga regjisori Edmond Budina, gjatë protestës që kanë zhvilluar në Kukës për mbledhjen e firmave. 

"Ne do e çojmë peticionit për t'i bërë të ditur Ramës që e duan tempullin e Demokracisë shqiptarët, të njëjtin peticion do e çojmë në Europë se shqiptarët e duan kulturën e tyre se Europianët janë më të bindur se kurrë që Shqipëtarët mund të futen në Europë vetëm nëpërmjet kulturës. Kemi marrë mesazhe inkrurajuse për lëvizjen tonë na nxisin që të vijojmë përpara, se ne kemi luftuar me fjalë, në këmbim morën dhunën e kryeministrit, na e shembën dhe shtëpinë. Ne dhamë dëshmorin e parë të rrugës "Dëshmorët e Kombit", për t'i bërë të qartë Europës se çfarë makabri është ky kryeminiser. Mbasi të mbledhim firmat, do organizojmë një marshim gjigand në Dëshmorët e Kombit për t’I treguar Ramës dhe Europës që Shqipëria futet në BE me kulturë. Nesër do të dorëzojmë dy dosje të reja në SPAK për "Tentativë vrasje të artistëve", i kemi kërkuar presidentit që të hap hetim ndërkombëtar. I kemi kërkuar delegacioni Europian në Tiranë na ka premtuar se do sjellë në Tiranë prokuror ndërkombëtar dhe jemi të bindur se me gjithë këtë presion diplomatikisht do ua kthejmë shqiptarëve dinjitetin", tha Budina.

Pas Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit u zhvendos ditën e sotme në qytetin e Kukësit, ku ka zhvilluar një protestë përballë sheshit të Pallatit të Kulturës. Ato kanë mbledhur firma për rindërtimin e Teatrit nën moton 'Ku ishte dhe siç ishte'. Protesta është mbështetur edhe nga dega e Partisë Demokratike në Kukës. Ajo që vihet re është prania e madhe e njerëzve pa asnjë mbrojtje, të dyndur në turma dhe pa maska e distanca fizike. Në këtë protestë, edhe pse për Teatrin, nuk kanë munguar thirrjet "Rama ik" apo "poshtë komunistat", teksa aktori Neritan Liçaj hodhi akuza për kryeministri Edi Rama duke bërë thirrje për t'u ngritur në protestë. 

"Jetën nuk e kemi falë politikës, por falë prindërve dhe Zotit dhe për sa kohë të kemi zemrën e pastër dhe mendjen e kthjellët nuk ka lindur ai bir qeni që të mposht shqiptarin. Në gjithë jetën tonë të përbashkët, vuajmë nga abuziviteti, nga korrupsioni, të gjithë kemi parë si jemi abuzuar, vjedhur, ju të parët (i drejtohet kuksianëve) me çështjen e traut, fermerët, studentët, jam i bindur që ka një gjë që nuk e mposht askush, sepse është zemra e lirë, unë them që të dalim të gjithë si qytetar që askush nuk ka lindur akoma që ta mposht qytetarin, por kjo nuk bëhet duke ndenjur në shtëpi apo në facebook. E kam parë si i dridhet buza kur del qytetari në shesh, ambasadorëve, politikanëve, institucioneve se e dinë që qytetari është i pathyeshëm. Kam parë policët që të jenë më në siklet se ne, se dhe ata vuajnë. Të gjithë bashkë, mund t'ia dalim. Në 2 vjet e  3 muaj ca nuk janë përpjekue të bëjnë me ne, po nuk ia kanë dalë dot. Duhet ta ndihmojmë njëri- tjetrin, na përket neve gjithçka", tha Neritan Liçaj.

Prokuroria e Posaçme Anti- Korrupsion (SPAK) ka nisur zyrtarisht hetimet për shembjen e Teatrit Kombëtar në datën 21 maj dhe prokuror i çështjes është caktuar Ervin Kondili. Kondili ka bashkuar dy kallëzimet e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në një të vetme, ku dhe ka sekuestruar dokumentacionet e Bashkisë që lidhen me procesin e Teatrit si dhe vendimin e Institucionit të Ndërtimit.