Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është zhvendosur ditën e sotme në qytetin e Elbasanit për të firmosur peticionin ku kërkohet rindërtimi i teatrit aty ku ishte dhe siç ishte. 

Takimi u mbajt para Teatrit Skampa në Elbasan. Edmond Budina, i cili ishte atje u shpreh se nuk është një nismë partiake, por qytetare, pasi vijnë për të mbështetur  këtë nismë për dhimbjen që shkaktoi shembja e Teatrit. Bazuar në denoncimin në SPAK të Aleancës, ai tha  se do të ketë edhe denoncime të tjera.

"Është e domosdoshme që denoncimet të bëhen se llafet kanë vendin e tyre e propaganda ka vendin e saj. por është e rëndësishme të bëjmë një aksion konkret dhe është denoncimi i fakteve që i kemi jetuar mbi kurrizin tonë, i takon organeve kopetente që të hetojnë. Do të vazhdojmë edhe me kallëzime të tjera siç është përdhunim i simboleve kombëtare si flamuri, varrosja e vlerave siç ishte garderoba. Kemi besim që vendi do të ndryshojë edhe në pikëpamjen e drejtësisë. Nuk jemi përgjegjës ne por janë ata që kanë pasur në administrim atë Teatër", tha Edmond Budina.

Kurse Robert Budina tha në Elbasan se qeveria shembi muret por nuk shembi simbolin dhe se godina e Teatrit kishte mbledhur të gjitha hallet e shqiptarëve.

"Për çfarë ndenjëm për ndonjë post për të kapur ndonjë gjë?! Ishim të bindur që hallet e teatrit nuk ishin tonat, por tuajat. Të gjitha hallet e shqiptarëve u mblodhën tek godina e Tetarit Kombëtar. E dini pse e bëri për t'ju treguar që jeni pa dinjitet dua të bëj çfarë të dua me ju, na përcolli një mesazh. Por ne i themi që ti shembe muret por nuk e shembe simbolin. Teatri është në zemrat tona sepse është skena e vetme e opozitarizmit. Populli opozitar ka qenë gjithmonë në rrugë për të protestuar. Me rolin e kulturës kemi ardhur t'ju sensibilizojmë. Jemi të bindur që ne kemi kryer detyrën tonë ndaj demokracisë, e përfunduam në një rikthim brenda 30 viteve", tha Budina.

Të shumtë ishin qytetarët elbasanas të cilët nënshkruan peticionin për ndërtimin e teatrit Kombëtar aty ku ishte. Protestës përballë teatrit Skampa iu bashkua edhe Partia Demokratike në Elbasan.

"I bashkohem një kauze dhe ajo ishte mbrojtja e dinjitetit dhe identitetit të çdo Shqiptari, askush nga ju nuk u bashkua për interesa personale. Të gjithë këta artistë na kanë dhënë një mesazh shumë të rëndësishme, që së bashku jemi forcë më e madhe", u shpreh Sonila Daiu, Përfaqësuese e Forumit të Gruas në PD.

Aleanca i ka bërë thirrje që qytetarët të jenë të gjithë së bashku, duke argumentuar se protestat i bëjnë mirë vendit. Aleanca për mbrojtjen e Teatrit ka nisur mbledhjen e firmave nga Tirana, ndërsa më parë ka qenë edhe në Durrës, Shkodër, Kukës, Burrel, Lezhë dhe Lushnje.