TIRANE- Aleatët e Partisë Socialiste të cilët para zgjedhjeve kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisjen, pas 23 qershorit, janë në pritje se përfshirja në qeverisje sipas peshës që kanë në spektrin politik shqiptar, të realizohet deri në fillim të këtij viti.

Drejtuesit e këtyre partive politike, të cilat të gjitha sëbashku kanë marrë afër 100 mijë vota në zgjedhjet parlamentare, duke dhënë një kontribut të madh në fitoren e koalicionit të majtë, ndonëse kanë marrë vetëm një deputet në Kuvend, bëjnë me dije se vetë kreu socialist njëherësh dhe kryeministër i vendit i ka qetësuar duke thënë se duhet të presin edhe pak, për të qënë pjesë integrale e bashkëqeverisjes së majtë.

Muaji janar pritet të jetë dhe koha kur krerët aleatë mund të kenë një takim me kryeministrin Rama për të zgjidhur përfundimisht dilemën e bashkëqeverisjes dhe përfshirjes së përfaqësuesve aleatë në strukturat e qeverisjes së vendit, në nivelet e dyta dhe të treta të qeverisjes.

Një kohë e cila me sa duket përkon dhe me analizën që pritet të bëhet nga të gjitha ministritë, për punën e kryer në 100 ditët e qeverijes së majtë, dhe për të dhënë llogari dhe mbajtur përgjegjësi për qeverisjen sipas ministrive përkatëse. Deri më tani jashtë qeverisjes kanë mbetur PDS e drejtuar nga Paskal Milo, PSD e drejtuar nga Skënder Gjinushi, AP e drejtuar nga Artur Dojaka, PLD e drejtuar nga Spartak Ngjela dhe PKDSH e drejtuar nga Mark Frroku, që ndonëse ka një deputet në Kuvend të zgjedhur drejtëpërdrejt, ende nuk ka marrë asnjë përgjegjësi.
 
 Shkrimi u publikua sot (26.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)