Aleatët diskutojnë nevojat mbrojtëse të Ukrainës

Aleatët diskutojnë nevojat mbrojtëse të Ukrainës

Pamje nga bombardimet në Donbass

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, drejton të mërkurën një takim të dhjetëra ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve jo anëtare, për të diskutuar përpjekjet e fundit për të shtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën përballë agresionit rus gati katër-mujor.

Bisedimet po zhvillohen përgjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel.

Një takim virtual i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës muajin e kaluar, mblodhi përfaqësues nga afro 50 vende dhe premtime për paketa të reja ndihme. Zyrtarët ukrainas vazhdojnë t'u bëjnë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të dërgojnë më shumë armë, veçanërisht artileri të rëndë, në mënyrë që të ndihmojnë forcat ukrainase të përballen me Rusinë.

“Çështja është se çfarë u duhet ukrainasve për të vazhduar suksesin e deritashëm në ngadalësimin dhe pengimin e rusëve në përmbushjen e synimeve të tre dhe ky do të jetë përqendrimi kryesor për ministrat e mbrojtjes”, tha një zyrtar i lartë amerikan Mbrojtjes para takimit të së mërkurës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u tha gazetarëve të martën se Ukraina "duhet të ketë më shumë armë të rënda" dhe forcat e saj “varen absolutisht nga kjo për të qenë në gjendje të mbahen kundër agresionit brutal rus”.

"Donbasi është çelësi"

Bisedimet po mbahen derisa forcat ruse po përpiqen të vënën nën kontroll të plotë qytetin industrial lindor të Sievierodonetskut, që shtrihet në rajonin e Donbasit, të cilin Rusia e ka deklaruar si synimin kryesor të operacionit të saj në Ukrainë.

“Të mbahemi atje në Donbas është thelbësore”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një video-mesazh të martën vonë. “Donbasi është çelësi për të vendosur se kush do të dominojë në javët e ardhshme".

Rusia tani kontrollon rreth 80 për qind të Sievierodonetskut dhe ka shkatërruar të tri urat që çojnë jashtë tij, tha të martën guvernatori rajonal i Luhanskut, Serhiy Haidai.

Me shkatërrimin e urave nga Rusia, Serhiy Haidai tha se një evakuim masiv i civilëve nga Sievierodonetsku tani është "thjesht i pamundur" për shkak të bombardimeve dhe luftimeve të pamëshirshme të Moskës në qytet.

Ai tha se forcat ukrainase janë shtyrë në periferi të qytetit për shkak të "metodës së tokës së djegur dhe artilerisë së rëndë që rusët po përdorin".

Por, zoti Haidai i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se forcat ruse nuk e kishin bllokuar hyrjen në qytet, duke i lënë Ukrainës "një mundësi për evakuimin e të plagosurve, komunikimin me ushtrinë dhe banorët vendas".

Popullsia ka rënë në 12 mijë

Rreth 12,000 nga popullsia prej 100,000 banorësh të para luftës kanë mbetur në qytet, me 500 civilë të strehuar në fabrikën kimike Azot, e cila po bombardohet nga rusët.

Gjeneralkoloneli rus Mikhail Mizintsev, tha se një korridor humanitar do të hapet të mërkurën për të evakuuar civilët nga fabrika kimike, por ata do të dërgohen në qytetin Svatovo, i cili është nën kontrollin e forcave ruse dhe separatiste.

Ngadalë, por pa pushim, Rusia duket se po fiton përparësi në luftën për kontrollin e rajonit të Donbasit, i cili përfshin provincat Luhansk dhe Donetsk të Ukrainës, që Rusia i njeh si shtete të pavarura.

Rusia pushtoi Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe forcat e Kievit kanë luftuar që atëherë me separatistët pro-rusë në rajonin e Donbasit./VOA

E.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë