TIRANE- Aleatët e Partisë Socialiste kanë marrë mesazhe pozitive nga ana e kryeministrit Edi Rama për përfshirjen më në fund në qeverisjen e vendit dhe për kontribuar sipas mbështetjes që kanë marrë në zgjedhjet e 23 qershorit. Ka qënë kreu i PSV ’91 Petro Koçi, ai i cili për gazetën “Shqiptarja.com” ka bërë të ditur se PS është në fazën e përcaktimit të skemës së përfshirjes në qeverisje dhe të aleatëve. “Kemi marrë mesazh zyrtar sipas të cilit PS është duke shqyrtuar skemën e përfshirjes së aleatëve në përgjegjësi të qeverisjes”, ka deklaruar Koçi, teksa ka nënvizuar faktin se ai ka pasur gjithnjë besim në arritjen e këtij qëndrimi.

“Kam pasur besimin gjithmonë që kjo çështje do të zgjidhej në mënyrë parimore, dhe pse kjo s’është prioritare në vemendjen e opinionit publik, sepse ka probleme të tjera që janë më të rëndësishme”, ka deklaruar kreu i PSV ’91. Njëherësh dhe kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo deklaroi dje se partia e tij ka filluar procesin e negociatave për përfaqësimin e saj në qeverisjen e vendit. Në mbledhjen e Komitetit Drejtues të PDS, Milo tha se “deviza jonë gjatë gjithë kësaj kohe, që nga zgjedhjet e 23 qershorit, ka qenë durim dhe shpresë, mirëkuptim për vështirësitë e ndeshura, gjithnjë me shpresën dhe me bindjen se partnerët tanë politikë do të vlerësojnë Demokracinë Sociale”. Ai tha se tashmë ka ardhur koha që Partia Demokracia Sociale do të marrë vendin e duhur në qeverisje.

“Dua të informoj Komitetin Drejtues Kombëtar se ka filluar procesi i negocimit për përfaqësimin e partisë në qeverisjen e vendit. Ky është një proces. Ai nuk mund të kryhet as në një javë dhe as në një muaj. Kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka për të përfaqësuar denjësisht interesat dhe kontributet tuaja në këto negociata. Referencë për këdo do të jetë numri i votave të marra në qershor, kjo është kontrata dhe kjo do të respektohet deri në fund”, tha Milo. Ai tha se duhet besim tek qeveria e re dhe se ky fillim ka qenë i vështirë dhe plot sfida.

Kreu i PDS adresoi kritika edhe në adresë të opozitës, për të cilën tha se ka filluar të bëjë opozitë kur ende s’kishte dorëzuar pushtetin e vjetër që mbante. “Kemi të bëjmë me një opozitë që më mirë se gjithçka, vetëm di të kritikojë. I dorëzoi qeverisë së sotme një vend me financa të zbrazura dhe shumë fatura të papaguara”, tha Milo. Kryereforma për këtë qeveri, nënvizoi kreu i PDS, është reforma në drejtësi dhe se nuk mund të ketë integrim pa ketë. Dhe aleatët e tjerë të PS janë në pritje.
 

Shkrimi u publikua sot (26.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)