Ndërsa po dalin një nga një emrat e përfolur për postet e nivelit të dytë të qeverisjes, pra të zv.ministrave, aleatët e PS janë ende në pritje të kryeministrit të ri dhe kreut të mazhorancës Edi Rama, për t’u takuar me të dhe për të vendosur për marrjen e përgjegjësive bashkëqeverisëse.
Ata janë në pritje dhe të marrjes në konsideratë të kërkesave të tyre të dërguara me shkrim në zyrën e kreut të qeverisë së re Edi Rama, pavarësisht se janë shprehur se janë brenda limiteve kohore për të arritur zbatimin e marrëveshjes bashkëqeverisëse. Ndonëse janë bërë publikë emrat e parë të pritshëm për postin e zv.ministrave si Elisa Spiropali
Zv.ministre e Punëve të Jashtme, Gjergj Koja i PSM Zv.Ministër i Shëndetësisë, Milva Konomi Zv.Ministre e Shëndetësisë, Gjon Radovani (arkitekt) Zv.ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit e
Arbër Mazniku Zv.ministër i Arsimit dhe Sportit, vetëm një prej tyre është kryetar i një partie aleate të PS, përkatësisht kreu i Partisë Socialiste të Moderuar. Koordinatori mes aleatëve dhe kryetarit të mazhorancës Rama, kreu i AAK Gjet Ndoj shprehet se së shpejti pritet takimi për zbatimin e marrëveshjes.
“Ende nuk jemi takuar me kryeministrin Edi Rama. Ne po presim, por ajo që mund të them është se, jemi ende në kohë, pasi sapo është betuar kryeministri i ri dhe kabineti qeveritar i mazhorancës së re. Për më tepër që kryeministri Edi Rama ka një axhendë të ngjeshur takimet dhe aktivitetesh”, ka qënë deklarata e kreut të AAK, Gjet Ndoj, duke sjellë në vëmendje dhe takimet e Ramës në Bruksel. Nga ana e tij sërish kreu i PSV 91 Petro Koçi shprehet se ka besim të plotë se Rama në kohën më oportune do zbatojë marrëveshjen me aleatët.
“Në momentin e duhur besoj se do të zgjidhet në mënyrë programore dhe sipas marrëveshjes mes aleatëve edhe konstituimi i niveleve të tjera të qeverisjes, edhe me pjesëmarrjen e aleatëve në bashkëqeverisje. Besoj se shumë shpejt një gjë e tillë do të zgjidhet dhe ne jemi në pritje, duke qënë se nuk kanë kaluar as afatet ligjore për një gjë të tillë”, tha Koçi.
Në të njejtën linjë ka qënë dhe kreu i partisë Socialiste të Moderuar Gjergji Koja. “I uroj qeverisë së re sukses të plotë në punë dhe misionin e saj për ta nxjerrë Shqipërinë nga gropa ku e la qeverisja e Berishës. Kjo maxhorancë i ka mundësitë dhe burimet njerëzore për të justifikuar shpresat e shqiptarëve.
Për sa i përket koalicionit dhe bashkëqeverisjes brenda saj, jemi në pritje të takimit me kryeministrin Edi Rama për zbatimin e marrëveshjes parazgjedhore të nëshkruar kohë më parë”, tha Koja për gazetën. Ndërkohë asnjëri prej krerëve të partive aleate nuk ka deklaruar të jetë thirrur nga Rama dhe për më tepër t’i jetë ofruar një post konkret.
Ndërsa shumë nga krerët e tjerë aleatë të PS, nuk kanë preferuar të deklarohen për mediat, duke vijuar në këtë mënyrë heshtjen e gjatë, në lidhje me postet e mundshme që pritet të marrin në qeverisjen e ardhshme. Ndoshta janë në pritje të lëvizjes së vetë kryeministrit Rama kur të kthehet nga Brukseli.
EMRAT E DISA NGA ZV.MINISTRAT
Elisa Spiropali
Zv.ministre e Punëve të Jashtme
Gjergj Koja
Zv.Ministër i Shëndetësisë
Milva Konomi
Zv.Ministre e Shëndetësisë
Gjon Radovani (arkitekt)
Zv.ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit
Arbër Mazniku
Zv.ministër i Arsimit dhe Sportit
Shkrimi u publikua sot (17.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)