ATHINE- Aleatët e kryeministrit grek në koalicionin qeverisës refuzojnë të mbështesin reformat në tregun e punës duke vënë në rrezik fondin e shpëtimit për Athinën.

Demokratët e majtë dhe socialistët e PASOK-ut kanë insistuar se nuk do të mbështesin më projektet për shkurtime të rrogave dhe pagesave të tjera. Pas takimit me krerët e partive, që u zhvilluan dje, Samaras i kërkoi partnerëve të ruajnë unitetit duke sqaruar se qeveria deri më tani ka ndryshuar disa prej propozimeve fillestare të Trojkës. "Kriteri im i vetëm është Greqia dhe e ardhmja e saj. Nuk do të largohem prej këtyre përgjegjësive dhe as nuk dua ta mendoj se kjo do të ndodhë.

Unë po shoh përpara duke kërkuar unitetit më të madh të mundshëm. Ne do ta shpëtojmë Greqinë", u shpreh Samaras. Partitë aleate kanë vënë në rrezik serioz çeljen e fondit të radhës i kërkuar me insistim nga kryeministri në takimet me zyrtarët evropianë. "Nuk do të pranoj apo të votoj reformat në tregun e punës siç kërkon trojka. Kërkesat e trojkës nuk janë asgjë më shumë se eleminim i asaj çka është e majtë", u shpreh Fotis Kouvelis, lideri i Demokratëve të majtë.

 Lideri i Pasok-ut Evangelos Venizelos insistoi gjithashtu në dhënien fund të shkurtimeve drastike. "Pas thuajse katër muajsh na duhet ti japim fund këtyre negociatave të vështira dhe të gjata që po e mbajnë vendin në agoni. Zgjatja e mëtejshme e tyre nuk na ndihmon por rrit presionin në likujditete", tha Venizelos. Megjithatë, Samaras e ka bërë të qartë se qeveria nuk ka zgjidhje tjetër përveç shkurtimeve nëse nuk dëshiron të falimentojë që muajin e ardhshëm.
(sg/shqiptarja.com)