Kjo mbrëmje solemne u mbajt në Pallatin e Kongresve në kuadër të 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut në prani të personaliteteve më të larta shtetërore si Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Rama dhe figura të shquara në fusha të ndryshme.

Ceremonia nisi me parakalimin dhe vendosjen në qendër të skenës të Urdhrave shqiptarë të para një shekulli, të prirë nga Gjerdani i nderit të Shqipërisë, i vitit 1925. 

Rëndësinë e këtij momenti e veçoi kryeministri Edi Rama në fjalën e tij.

"Sot, emri i tij na mbledh sërish këtu, njëqind vjet pas krijimit të Urdhrit të Skënderbeut, jo vetëm për të risjellë në kujtesë një akt shtetformues nga agimi i jetës republikane të Shqipërisë, por për të mbrojtur dhe nderuar idenë e meritës, me dinjitetin e rilindur të sistemit tonë të urdhërave dhe medaljeve, të vetëdijshëm se, siç thoshte Montesquieu, “Nderi është parimi që vë një popull në lëvizje” dhe kur nderohet merita, kombi e njeh më mirë vetveten",- tha Rama.

Medaljet e para, ato të 100-vjetorit të Urdhërit të Skënderbeut kryeministri Rama ua dorëzoi familjarëve të dy studiuesve të ndjerë Artan Lame dhe Filip Rrumbullaku.

Ndërsa Presidenti Bajram Begaj dekoroi me propozim të kryeministrit Rama 22 personalitete të njohura dhe me kontribute të veçanta në fusha të ndyrshme me tre urdhrat kombëtarë: Urdhrin Suprem të Shqiponjës, Urdhrin e Skënderbeut dhe Urdhrin e Lisit Akademik.

Dekoratën e parë dhe një prej më të lartave të shtetit shqiptar, Yllin e Madh të Urdhrit Suprem të Shqiponjës, Bega ia dha një prej parardhësve të tij, ish-Presidetit Alfred Moisiu, për kontribute të veçanta në interes të kombit dhe shtetit shqiptar.

Me Yllin e madh u dekoruan po ashtu edhe kirurgu I shquar Besim Elezi, apo gjuhëtari Seit Mansaku.

Studiuesi i njohur Aurel Plasari dhe historiani Pëllumb Xhufi u dekoruan me titullin Oficer I Madh.

I njohur si babai i Kodit Penal, Ismet Elezi u dekorua në moshën 106-të vjeçare me Yllin e madh të Urdhëri të Lisit Akadëmik.

Për merita të veçanta si elekricistja e parë grua, apo për punën e vëshirë si arsimtar duke përshkuar 20 km në këmbë u dekoruan Adriana Hysenaj dhe Kastriot Aliko.

22 dekoratat e dhëna nga presidenti Begaj nderonin personalitet nga të gjitha fushat, bota akademike, sportistë, ushtarakë, diplomatë e historianë duke u kujtuar se merita nuk harrohet dhe se puna e tyre ka lënë gjurmë të çmuara.

“Ylli i Madh” – Urdhri Suprem i Shqiponjës

Alfred Moisiu (ish-president)

Besim Elezi (kirurg)

Seit Mansaku (gjuhëtar)

Abaz Hoxha

“Oficer i Madh” – Urdhri Suprem i Shqiponjës

Aurel Plasari (studiues)

Mateo Mandala (studiues)

Pëllumb Xhufi (historian)

Francesco Altimari (albanolog arbëresh)

Ernesto Madeo (kryetar i komunës Shën Mitri, Kalabri – Itali)

Mimoza Dhëmbi

“Ylli i Madh” – Urdhri i Lisit Akademik

Ismet Elezi (jurist, “babai” i Kodit Penal të Shqipërisë)

“Komandar”

Shpresa Gjongecaj (arkeologe)

Zyber Dushku (ushtarak)

Etleva Domi (akademike)

Fioralba Cakoni (matematikane)

“Kalorës” – Urdhri i Skënderbeut

Igli Tare (sportist dhe trajner)

Ajet Jata (kolonel)

Adriana Hysenaj

“Kalorës” – Urdhri i Lisit Akademik

Gjovalin Bicaj (mësues)

Edor Kabashi

Kastriot Aliko

Liljana Luani

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:02
Nderohet Alfred Moisiu, ish-Presidenti: I kam shërbyer gjithë jetës kombit

 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me rastin e 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, ndau sot medaljet e vlerësimit për personalitete në fusha të ndryshme, në botën shqiptare.

Mes të vlerësuarve nga Urdhri ishte edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, i cili u vlerësua me titullin “Ylli i Madh”.

Medalja iu dorëzua nga presidenti Bajram Begaj.

“Unë ju falënderoj dhe respektoj për këtë medalje. Në moshën time, 96 vjeç, ky vlerësim merr tjetër kuptim për mua, si dëshmi e përpjekjeve për vendin dhe qytetarët. Falënderoj familjen, bashkëpunëtorët, miqtë, që më kanë dhënë forcë e motivim të vazhdueshëm. E konsideroj këtë medalje, si mesazh se vlera, puna dhe integriteti mbeten gjithmonë të çmuara. Në familjen time, dashuria për atdheun kanë qenë motiv i trashëguar. Ju siguroj se do vazhdoj më tej, pavarësisht nga mosha. Gjithmonë do jem në shërbim të kombit tonë”, tha Moisiu.

Ora 19:57
Rama i jep medalionet e 100-vjetorit të 'Urdhrit të Skënderbeut' familjarëve të Artan Lames dhe Filip Rrumbullakut

Në 100-vjetorin e "Urdhrit të Skënderbeut", kryeministri Edi Rama i dorëzoi medalione të këtij urdhri familjarëve të të ndjerëve Artan Lame dhe Filip Rrumbullaku.

Kreu i qeverisë tha se këto 2 personalitete kanë kontribut të pamohueshëm në rikthimin e vlerës së vërtetë të medaljeve dhe zakoneve shtetërore.

"Me propozim të Kancelarit do t’u dorëzojmë dy medalje të 100-vjetorit të urdhrit, Artan Lames dhe Filip Rrumbullakut. Dy burra që nuk janë më, por pasioni dhe dijet e tyre për urdhrat, medaljet dhe zakonet e tjera të shtetit do të kujtohen si matës të integritetit. Sot Republika u shpreh mirënjohjen e saj për të ndjerët",- tha Rama.