Alfred Lela përfundon sërish në spital, tronditet me shëndetësinë! Rrëfen bisedën me mjekun e penduar: Bëra gabim që u ktheva nga SHBA-ja për të ndihmuar vendin

Alfred Lela përfundon sërish në spital, tronditet me shëndetësinë! Rrëfen bisedën me mjekun e penduar: Bëra gabim që u ktheva nga SHBA-ja për të ndihmuar vendin

Alfred Lela

TIRANË- Gazetari Alfred Lela është dashur që të shkojë sërish në spital, kësaj herë jo për veten e tij, por për një mikeshë, edhe pse ajo pamje me të cilën u përballë ishte e papritur.

Lela e përshkruan me detaje se si fasada e spitalit të Traumës, ishte shumë e ndryshme nga ajo që shkon përtej asaj se ça reklamohet. Rruga e gropa, mbetje spitalore të vendosura në cepa, e ndërsa sikur të mos mjaftonte duhej të përballet edhe me një parkim ku duhet të paguante, por problemi nuk qëndron këtu.

Ai sjell historinë e një mjeku, i cili ishte kthyer nga Amerika, për të ndihmuar Shqipërinë, për të mos braktisur vendin e tij, i cili ishte penduar që ishte kthyer teksa liston edhe problemet me të cilët duhet të përballet çdo ditë, pavarësisht misionit human që kanë.

“Rasti më hodhi dje në urgjencën e Spitalit Ushtarak, të shndërruar në Spitalin Universitar të Traumës. Kjo fjala e fundit përshkruan fare mire, jo vetëm rastet urgjente dhe të rënda që vijnë e parkojnë shpresën në këtë qoshk të sistemit shëndetësor shqiptar, por edhe goditjen që duhet të pësojnë shoqëruesit e tyre. Po ndihmoja një kolege dhe mikeshë, e cila pësoi aksident kur po uleshim nga mali i Çikës në Vlorë. Një kavilje e lënduar dhe e enjtur, që dyshohej si ‘shembje’ apo ‘nxjerrje’, rezultoi një fracture, me 6 javë në allçi dhe një proces rikuperimi ndoshta edhe më të gjatë.

E ndala makinën para derës së Urgjencës, sa për të ‘zbarkuar’ të plagosurën dhe u rrotullova nga pas godinës për të parkuar diku. Goditja e parë më erdhi nga ndryshimi i beftë mes ballinës dhe oborrit të parmë të Urgjencës me pamjen që shpaloset në pjesën mbrapa (jashtë kamerave). Rruga me gropa, thasë të zinj mbeturinash, në tokë dhe përmbi kosha. Janë mbetje spitalore, toksike dhe infektuese, të hedhura si çdo mbeturinë tjetër urbane, pa asnjë perimetër kujdesi apo sigurie. Përballë tyre vazhdon një rresht i gjatë sferash betoni me nga një shufër hekuri ngulur te secila dhe një shirit që i lidh me njëra-tjetrën; sinjalizon se ky është një kufi që nuk duhet kaluar. Të ngulur përgjatë një hapësire që mund të ishte vijëzuar dhe ndarë në një duzinë vendesh parkimi për stafin, prania e tyre ngjan e pavend dhe fyese. Dikush ka menduar që ‘zaptimi’ është ide më e mirë.

Më vonë, në bisedë me një prej kirurgëve të urgjencës kuptohet se pse është gjetur kjo zgjidhje, as inteligjente, as simetrike dhe as racionale, për të bllokuar një korsi me këto gjyle betoni. Ka të bëjë me interesa financiare (është punë lekësh, o trap!) mbi parkingun e spitalit. I cili nuk është i Ushtarakut, siç më shpjegon mjeku, por i një krijese ala PPP, një ndërmarrjeje policore shtetërore që quhet ‘Illyrian Guards’. Ata janë ‘policia’ që mbikqyr Spitalin e Traumës dhe menaxhon parkingun. Mbajnë uniforma të çuditshme pa shenja identifikuese (mos janë këta policët e Ramlleshit që goditën protestuesit!), në një ton të së errëtës, ndoshta afër asaj të trupave fashiste të Musolinit. Prania e tyre është e dukshme dhe invazive në hyrje dhe te recepsioni i Urgjencës. Në pjesën e pasme të godinës ‘vigjëlon’ një pjesëtar tjetër i kësaj trupe, me sa duket në rojë të instalacionit me gjyle betoni. ‘Më duhet të paguaj për parkingun çdo ditë’, më thotë mjeku ndërkohë që trajton kolegen. Del nga dhoma në korridor dhe e dëgjoj tek futet mes një sherri që ka plasur mes një kolegu dhe ‘rojeve ilire’. “Unë jam mjek, nuk jam kamarier që marr porositë tuaja”, dëgjohet të thotë përmes derës së hapur. Futet brenda i xhindosur. “Na duhet të merremi edhe me këta”, më thotë, “për 480 mijë lekë në muaj”.

“Jam kthyer nga Amerika duke kujtuar se do të ndihmoj vendin tim. Kam bërë gabim. Po ju, gazetarët, pse nuk bëni një reportazh për kushtet tona, por flisni vetëm për politikë”, më drejtohet mua me një zemërim që ngjan më shumë si dorëzim. Unë nuk them shumë, por fakti që një spital publik përdor një polici shtetërore të sajuar, si ndërmarrje private për të menaxhuar një parking dhe për t’u marrë lekë mjekëve në shërbim publik dhe me rroga qesharake, më duket një episod barbarish shqiptare. Nuk është i vetmi, sigurisht. Kur vizita dhe vendosja e allçisë mbaron, shkoj për të marrë makinën dhe për ta sjellë sërish para Urgjencës për të asistuar të plagosurën. Dal nga parkingu i cili në atë orë të natës është ‘i dorëzuar’; e ka të hapur traun dhe është pa pagesë (rroftë e diela vonë!) dhe ngas me kujdes duke u munduar të hulumtoj se ku mund të kthehem djathtas për të dalë te Urgjenca e Ushtarakut. Habitem kur e gjej veten para hyrjes së një spitali privat, Amerikanit, vazhdoj sërish duke kontrolluar në të djathtë, por nuk ka exit. E kuptoj se, unë dhe Shqipëria, kemi shkuar shumë larg, kur gjendem para portës hyrëse/dalëse të Amerikanit. Kuptoj me dhimbje se, po të hodhi rasti fatkeq në Urgjencën e spitalit publik të Traumës, që mban edhe mbiemrin pretencioz ‘Universitar’, për t’u kthyer sërish aty, duhet të kalosh nga hyrja dhe oborri i një spitali privat, të dalësh në rrugë të madhe dhe të futesh sërish në hyrjen e “Ushtarakut’. Si një helikopter në mjegull, me një të sëmurë në të, që kërkon vend të ulet, pak a shumë.

Ky është episodi i dytë që më sjell në mend sërish mjekun-kirurg i cili ankohej për kushtet, për pagën, për stresin, për parkingun dhe për gazetarët që nuk flasin apo shkruajnë për ta. Nuk kam gjë më shumë në dorë se sa ky shkrim, ku të vë në pah këto shëmti dhe babëzi që kanë prishur kufijtë e publikes dhe racionales në Shqipëri. Edhe për të shprehur ndohtin që ndjej kur shoh Ramën dhe ministrat tek i fryjnë gajdes së një Shqipërie që ekziston vetëm në halucinacionet e tyre. Pjesën më të mirë të saj e kanë shitur vetë dhe ç’nuk kanë shitur e kanë zhvatur ‘amerikanët’ me çallmë të thertoreve private që quhen spitale. I dashur Doktor: po, ke bërë gabim që je kthyer nga Amerika!”, shkruan Lela.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • debil i lindur: 11/06/2020 16:31

    kur je parazit kerkon me cdo kusht te dukesh sikur je dikush,dhe sikur mendja jote prej injoranti do gjej mbeshtetje po nga disa injornat te tjere,keshtu kemi injorant ne katror

    Përgjigju
  • FANTOMASI KOK ZBATH: 11/06/2020 16:23

    Ore si ka mundësi që një njeri i till të gënjej kaq shum e pa pik turpi si ky Alfred Lela. Edi Rama ka bër ndryshim rënjësor në spitale. Ka akoma dhe shum pun po nuk bëhen mrekullit me shkop magjik. A e mban mënd ky kok zbathi se nëç gjëndje kan qen spitalet ? ? ? Në kohën e largqoftit salhe plehu. Apo atëhere kti si interesonte e si shikonte gjërat tani ky bën mizën buall.

    Përgjigju
  • Cubi: 11/06/2020 16:21

    Ti je nje cop leshko o lelo djali. Ky eshte sistemi kapitalist o trim. Cdo sherbim paguhet. Vet e ke trmbetuar me qejf. Mirpo ti don ate regjimin e baba saliut qe ti shkrin kockat po nuk i mbaje ison.sa per corben tek spitali i traumes kerkoi llogari baba saliut,rama per kete sdi gje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)