ATHINE - Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos priti sot në një takim zyrtar Ali Ahmetin, kryetar i partisë BDI, partia më e madhe shqiptare në Maqedoni, pjesë e koalicionit qeverisës.

Gjithsesi në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Greqisë nuk jepen shumë detaje rreth takimit. "Gjatë takimit, Venizelos e Ahmeti diskutuan çështje të marrëdhënieve dypalëshe dhe çështjet që lidhen me perspektivën Euro-atlantike të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.

Ali Ahmeti ka deklaruar se “Ishte takim shumë i rëndësishëm ku në mënyrë miqësore kemi folur për politikat rajonale, për investimet, si dhe për integrimin e vendit tonë dhe mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. Republika e Greqisë do të jetë e dobishme dhe do t’i ndihmojë rajonit që të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së.

Gjithashtu biseduam edhe për ndërtimin e marrëdhënieve të fuqishme me fqinjët, si dhe për nevojën e bashkëpunimit në të gjitha fushat politike dhe ekonomike”. Ahmeti në deklaratën e tij tha se e ka theksuar zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë, pasi sipas tij, FYROM ka nevojë sa më shpejt që është e mundur të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së. “Kjo është temë që kërkon angazhim nga OKB, veçanërisht nga ndërmjetësuesi Nimiç, i cili së shpejti do ta vizitojë rajonin”, theksoi politikani shqiptar dhe shtoi se me Venizelon nuk kanë biseduar për propozime konkrete.

“Greqia është për integrim të vendin tonë në të gjitha strukturat por njëherit kërkon që kjo temë të mbyllet. Greqia është e interesuar që vendi ynë të ketë përparim në drejtim të euro integrimeve, Greqia është e interesuar që vendi ynë të zbatojë standarde që e përafrojnë me Evropën, qoftë në fushën e jurisprudencës, qoftë në fushat e mediave apo të demokracisë së brendshme”, deklaroi Ahmeti.

Sa i përket përmbajtjes së vizitës së re të Nimetz, pra nëse ndërmjetësi do të paraqesë një propozim të ri apo do të këmbëngulë tek ato të mëparshmet, Ahmeti u rezervua dhe u shmang të përgjigjet.

Këto deklarata të Ahmetit gjithmonë janë sipas mediave të Shkupit. Athina dhe Shkupi kanë ende të hapur konfliktin për çështjen e emrit të ish-republikës jugosllave të Maqedonisë, që po bëhet pengesë për integrimin e kësaj të fundit në strukturat euro-atlantike dhe në BE. Më herët, Ahmeti u takua me ministrin grek të mbrojtjes Dimitris Avramopulos.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)