TIRANE - Ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, ka thënë se askush nuk mund të hedhë hije dyshimi mbi mënyrën e zgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të PD. Ai ka thënë se gara për kreun e PD mes Lulzim Bashës e Sokoll Olldashit ka qenë reale. “Askush nuk mund të hedhë hije dyshimi për mënyrën demokratike se si u mbajtën zgjedhjet për kreun e ri të PD”, tha Alibeaj.

Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, gara ishte me rregulla të qarta dhe rezultati 80 me 20 ishte një mesazh i fortë që dhanë demokratët, në përballjen e dy alternativave. Ai tha se demokratët votuan mes atyre që ishin pjesë përbërëse e administratës politike e partiake të PD dhe që ishin pjesë e përgjegjësisë për humbjen më 23 qershor, si dhe atyre që nuk ishin pjesë e përgjegjësisë e që u prezantuan si opsion për ringritjen e PD.

Sa i përket qëndrimit të eksponentëvë të lartë në PD për një proces zgjedhor të paracaktuar, duke përfshirë Patozin dhe kandidatin Olldashi, Alibeaj thotë se këto pretendime duhet të bazohen në fakte dhe jo në indicie personale.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)