Aliyev, udhëheqësi i një shteti kriminal

Aliyev, udhëheqësi i një shteti kriminal
Presidenti i Azerbajxhanit, të cilin e kemi parë në shumë raste duke pozuar krahas Kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe që shumë shpejt mund të bëhet pronar i naftës shqiptare dhe i rafinerisë së vetme në vend, rezulton se është asgjë më shumë se një kriminel i rëndomtë, që i “zgjidh” mosmarrëveshjet tregtare përmes shantazhit dhe kërcënimeve të badigardëve të tillë. Përveç kësaj, rezulton se shumica e biznesit të tij menaxhohet nga gruaja dhe familjarët e saj dhe ka një fondacion që e deklaron si organizatë bamirësie. Këto janë detaje që zbulohen nga kabllogramet amerikane, që u bënë publike vitin e kaluar nga organizata Wikileaks.

Kabllogrami sekret, me kod 10BAKU54, i përgatitur nga ambasada e SHBA-ve në Baku mban titullin: “Kush ka nën pronësi çfarë në Azerbajxhan”.

“Vëzhguesit në Baku vërejnë se Azerbajxhani drejtohet në mënyrë të ngjashme me feudalizmin në Europën Mesjetare: Një numër i vogël familjesh, me lidhje të shumëfishta, kontrollojnë territore të caktuara gjeografike, si dhe sektorë të caktuar të ekonomisë. Në tërësi duket se ka një marrëveshje të përgjithshme mes familjeve kryesore për të ndarë vjedhjet dhe për të mos shqetësuar njëri-tjetrin në zonat përkatëse të biznesit apo në territoret gjeografike,” thuhet në kabllogram.

“Familjet shpesh përdorin mekanizmat shtetërorë në bashkëpunim, për të mbajtur jashtë vendit konkurrentët e mundshëm, duke përdorur institucione të tilla, si: Shërbimi Shtetëror Kufitar, Doganat apo autoritetet fiskale, të cilat krijojnë barriera që janë të kapërcyeshme vetëm për bizneset e lidhura me familjet e pushtetit,” thuhet në tej në kabllogram.

Zonja e parë, Mehriban Aliyeva, (me mbiemrin e fëmijërisë Pashayeva), është kryetarja më e fuqishme e klanit më të fuqishëm në vend.

Kjo familje rezulton se dominon pronësinë e bankave kryesore në vend dhe ka aktivitete në telefoni celulare, ka nën pronësi televizione e gazeta, si dhe fabrika të shumta të privatizuara. Kompania e tyre e telefonisë celulare, sipas kabllogramës amerikane, nuk paguan tarifat e interkonjeksionit te konkurrenti i vet.

Ata janë praktikisht të vetmit që marrin leje ndërtimi në Baku, gjë që i ka dhënë monopol mbi tregun e shtëpive. Një familje tjetër e rëndësishme sundimtare e Azerbajxhanit është ajo e ministrit Kemaladdin Heydarov. Ai ka një të shkuar si ish-drejtor i doganave dhe konsiderohet si monopolisti më i madh në vend.

Ma jep ose…

Një kabllogram tjetër tregon se çfarë mjetesh përdor grupimi kriminal që qeveris Azerbajxhanin për të mbajtur biznesin e vet. Kabllogrami 07BAKU533 tregon se si një kompani e madhe amerikane, që pati blerë një birrari vendëse, qe detyruar të largohej nga vendi. Sipas kabllogramit, kryebadigardi i Presidentit Beyler Eyyubov i pati shkuar në zyrë drejtuesit të birrarisë dhe i pati thënë se duhet t’i shesë 40 për qind të birrarisë ose përndryshe do të përballej shpejt me falimentin. Presidenti i birrarisë “Jean-Paul Lanfranchi” vendosi t’ia shesë biznesin e tij një kompanie ruse, përkundrejt çfarëdolloj çmimi që t’i ofrohej, pasi nuk pa rrugëzgjidhje tjetër.

Qeverisja me badigardë është tipar i organizatave mafioze, ku dhuna është mjeti kryesor i kryerjes së punëve.

Një pjesë e telegrameve diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ranë në dorë të piratëve kompjuterikë në vitin 2011 dhe u publikuan nga organizata Wikileaks, duke zbuluar të dhëna të rëndësishme për shumë vende të botës.

*Marrë nga e përditshmja "Shqip"

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Gjermania lëshon urdhër-arrestin e parë lidhur me shpërthimin në gazsjellësin ‘Nord Stream’

Gjermania lëshon urdhër-arrestin e parë lidhur me shpërthimin në gazsjellësin ‘Nord Stream’