Alketa punonte prej një viti si shitëse
Kolegu i punës: Nuk sillte probleme

Alketa punonte prej një viti si shitëse<br />Kolegu i punës: Nuk sillte probleme
TIRANE - Alketa Cani nëna e dy fëmijëve, e cila u ekzekutua me automatik pasditen e së hënës nga bashkëshorti i saj Ilirian Cani, ka qenë gjithmonë e rregullt në punë. Ajo prej një viti punonte si shitëse, në një dyqan që shiteshin rroba sportive. Kolegu i firmës ku ajo punonte, njëkohësisht edhe banor i lagjes aty pranë, tregon se 37-vjeçarja Alketa Cani kishte një vit që punonte si shitëse në dyqanin e rrobave dhe se ajo nuk kishte shfaqur asnjëherë shqetësime në punë.

Ai thotë se vëllai i Alketës ka punuar arkitekt aty dhe ka sugjeruar edhe motrën e tij Alketën që të punonte si shitëse në dyqanin e rrobave. “Unë jam një ndër punonjësit e firmës. Alketa Cani kishte një vit që punonte në këtë dyqan si shitëse rrobash. Madje për Alketën mund të them që ka qenë një ndër punonjëset më të rregullta dhe nuk ka sjellë asnjëherë shqetësime në punë. Janë tre shitëse të cilat punojnë në këtë dyqan dhe gjithmonë kanë folur me respekt për Alketën, pasi ka qenë gjithmonë e komunikueshme me kolegët e saj.

Ndërsa dua të përmend edhe faktin se ishte vëllai i saj që e ka futur në punë Alketën në këtë firmë rrobash. Vëllai i saj është arkitekt dhe ka punuar këtu më parë” tregon kolegu i punës së viktimës 37-vjeçare Alketa Cani. Ai gjithashtu thotë se dy shitëset e tjera të dyqanit që punonin bashkë me Alketën kishin shkuar në varrimin e saj. Vrasja e saj nga bashkëshorti pasditen e së hënës ka hapur dyert e mortit në familjen e ish bashkëshortëve Cani në banesën një katëshe ende të papërfunduar në rrugën “Sadik Petrela” në kryeqytet.

Por në këtë banesë ndodhen vetëm të afërmit e Ilirianit të cilët dënojnë veprimin duke uruar që askush të mos ketë më një fatkeqësi të tillë. Ditën e djeshme Alketa është përcjellë për në banesën e fundit nga shtëpia e prindërve të saj, ku kanë shkuar dhe dy djemtë, njëri 3 dhe tjetri 12 vjeç. Ndërsa autori i krimit, babai i dy fëmijëve Ilirian Cani ndodhet në spitalin Ushtarak të Tiranës, në vëzhgim të policisë. Ndërsa një i pandehur për krim brenda familjes është vlerësuar me një masë sigurie nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet.

Gjykata vendosi masën arrest me burg për 48-vjeçarin Genci Çarçani, i cili akuzohet për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Valbona Çarçani. Ngjarja ndodhi paraditen e 13 korrikut në rrugën “Tefta Tashko” fare pranë qendrës së Tiranës. Në seancën që u zhvillua me dyer të mbyllura, i pandehuri nuk ka pranuar të flasë përpara gjykatësit, por i ka qëndruar atyre që ai ka thënë në polici, ku është shprehur se kishte pasur mjaft konflikte me ish-gruan dhe se ajo nuk e linte të takonte dy vajzat e tij përkatësisht 18 dhe 20 vjeçe.

Në Gjykatë shkuan edhe dy vajzat e çiftit Çarçani por ato nuk u lejuan të ndjekin seancën e vlerësimit të masës së sigurisë për babanë e tyre pasi ishin me vonesë. Për shkak të ndryshimeve të bëra në Kodin Penal që kanë hyrë në fuqi, të dyshuarit për krime brenda familjes do të hetohen e gjykohen nga Krimet e Rënda. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur ndaj Çarçanit akuzën sipas nenit 79/c ku parashikohet vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare. Sipas këtij neni i dyshuari rrezikon të dënohet me burgim jo më pak se 20 vite, ose me burgim të përjetshëm.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.07.2013
                       
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

‘Portat e Ferrit’ të Turkmenistanit, një mister që po mahnit vizitorët e Azisë Qendrore

‘Portat e Ferrit’ të Turkmenistanit, një mister që po mahnit vizitorët e Azisë Qendrore