SHBA - Një epokë mbyllet në NBA All-Star Game. Për herë të parë pas 21 sezonesh radhazi, LeBron James nuk do të jetë pjesë e pesëshes titullare të ndeshjes së yjeve. Organizatorët kanë bërë publike formacionet dhe mungesa e yllit 41-vjeçar të Los Angeles Lakers është lajmi kryesor.

LeBron po zhvillon sezonin e tij të 23-të në NBA dhe që nga sezoni i dytë i karrierës ka qenë gjithmonë mes pesë lojtarëve titullarë në All-Star Game. Ndeshja e këtij viti do të luhet më 15 shkurt 2026, në “Intuit Dome” të Inglewood, arena e Los Angeles Clippers.

Megjithatë, James mbetet ende në garë për të qenë pjesë e eventit, pasi mund të përzgjidhet si rezervë. Tani vendimi u takon trajnerëve të NBA-së, të cilët do të zgjedhin 14 lojtarët e mbetur, nga 7 për secilën Conference. Përbërja e plotë e skuadrave do të shpallet më 1 shkurt.

Këtë sezon, LeBron James ka zhvilluar 24 ndeshje, me mesatare 22.6 pikë, 6.9 asistime dhe 5.9 ribaunde për ndeshje. Ai është shpallur 3 herë MVP i All-Star Game, duke mbetur një nga figurat më ikonike në historinë e eventit.

Pesëshet titullare të All-Star Game 2026:

Konferenca Lindore:
Cade Cunningham (Detroit)
Jalen Brunson (New York)
Tyrese Maxey (Philadelphia)
Jaylen Brown (Boston)
Giannis Antetokounmpo (Milwaukee)

Konferenca Perëndimore:
Stephen Curry (Golden State)
Shai Gilgeous-Alexander (Oklahoma City)
Luka Doncic (Los Angeles Lakers)
Victor Wembanyama (San Antonio)
Nikola Jokic (Denver)