Altin Dumani, ish kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ( SPAK) u takua të premten me një ekip të Ambasadës Britanike në Prishtinë.

Në komunikatën për shtyp, Ambasada britanike paralajmëron angazhimin e Dumanit në ‘shkëmbimin e njohurive, përvojës dhe ekspertizës në zbatimin e ligjit në Kosovë’”.

“Të kënaqur që ekipi ynë u takua sot me Altin Dumanin, ish-shefin e SPAK-ut për të diskutuar lehtësimin, në të ardhmen e afërt, të shkëmbimit të njohurive, ekspertizës dhe përvojës profesionale me institucionet e zbatimit të ligjit të Kosovës. Ky angazhim, i mbështetur përmes projektit tonë, thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimit praktik në forcimin e sundimit të ligjit” thuhet në njoftim.

Dumani udhëhoqi SPAK-un për tre vjet dhe drejtoi operacione të rëndësishme kundër krimit e korrupsionit që vunë në pranga zyrtarë të lartë në Shqipëri.

Ditën e hënë, më 22 dhjetor, Dumani do t'i kalojë detyrën kreut të ri të SPAK, Klodian Braho, në një ceremoni që do të zhvillohet në orën 10:00, në Sallën e Mbledhjeve të SPAK.

Altin Dumani, i cili pasoi Arben Krajën, drejtuesin e parë të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, do të jetë prokuror në SPAK, deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar.