Me firmë të 45 deputetëve, Partia Demokratike dorëzoi zyrtarisht kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor në Kuvend për të hetuar abuzimin me fondet e IPARD II.

Komisioni, që sipas propozimit, duhet të ketë 11 anëtarë e një jetëgjatësi prej 6 muajsh, PD thotë se duhet të hetojë zbatimin e marrëveshjes për fondet evropiane, si u përzgjodhën fituesit dhe shkeljet, nëse ka.

Kjo, për të nxjerrë përgjegjësit institucionalë, në mënyrë që të mos përsëritet abuzimi dhe për të zhbllokuar fondet e ngrira për Shqipërinë nga Bashkimi Evropian thotë PD.

“Administrimi i fondeve të programit IPARD II ka pasur problematika dhe shkelje, që kërkojnë marrjen e masave për parandalimin e fenomeneve negative në të ardhmen. Si rezultat i shkeljeve shumë serioze të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale, të cilat OLAF i konsideroi si “kriminale” dhe “korruptive”, fermerëve shqiptar iu mohua mundësia për të përfituar 112 milionë euro mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit IPARD III, pjesë e Marrëveshjes Kuadër IPA III", thuhet në kërkesë.

Kjo kërkesë e PD vjen vetëm një ditë pasi nga foltorja e Kuvendit, kreu i SPAK Altin Dumani pohoi edhe një herë se çështja është në duart e SPAK. Por qëllimi, thotë PD, nuk është t’i mbivendoset drejtësisë.

Opozita kishte kërkuar edhe më herët që çështja e fondeve të IPARD të ngrihej në Kuvend përmes një kërkese për mocion me debat, që u rrëzua nga socialistët. Në pikëpyetje është nëse PS do ta pranojë ngritjen e këtij komisioni, në kushtet kur çështja po hetohet nga prokuroria, ndërkohë që më herët socialistët rrëzuan dy kërkesa të tjera për komisione hetimore për MCGonigal dhe zgjedhjet e 11 majit.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë