Prokurori i Antimafias, Federico Cafiero De Raho, e ka cilësuar kapjen e 613 kg kokaine sot në Portin e Durrësin rezultatin e parë të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa sqaron se aksioni është bërë pa asnjë ndihmë nga autoritetet italiane.

Në mënyrë të nënkuptuar, De Raho i përgjigjet kreut të PD, Lulzim Basha, i cili në reagimin e tij deklaronte se kapja e kësaj ngarkese rekord kokaine u paralajmërua nga Prokurori i Antimafias, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ditën e hënë. 

Në një reagim pas kapjes së sasisë rekord të kokainës, që vinte nga Kolumbia, Prokurori i Antimafias e quan këtë aksion një meritë totale të autoriteteve shqiptare, ndërsa përgëzon Prokurorinë dhe Policinë Shqiptare për operacionin dhe ofron mbështetjen italiane në luftën kundër krimit të organizuar transnacional.

Më tej, zyrtari i lartë italian deklaron se gjatë vizitës së tij në vendin tonë qeveria shqiptare dhe Prokuroria shprehën vullnetin për të vënë në jetë të gjitha masat e nevojshme për të penguar infiltrimin e krimit të organizuar në Institucionet shqiptare

Reagimi i plotë:
Prokurori Kombëtar i Antimafias dhe Antiterrorizmit uron përzemërsisht Prokurorinë dhe Policinë Shqiptare për operacionin që çoi në sekuestrimin në Portin e Durrësit të një sasie të madhe lënde narkotike. Ky operacion merr edhe më shumë rëndësi falë faktit se u realizua nga Policia shqiptare, pa asnjë ndihmë nga ana e autoriteteve gjyqësore italiane.

Suksesi i arritur sot në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike me sekuestrimin e 613 kilogramëve kokainë është një ndër rezultatet e para të strategjisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilën Qeveria shqiptare po e zbaton fuqimisht, siç munda të mësoj dhe gjatë vizitës sime të fundit në Shqipëri, të realizuar me ftesë të Ministrit të Brendshëm.

Siç dhe konstatova duke vizituar selinë e Task Forcës – e ngritur me vullnetin e Ministrit të Brendshëm – dhe siç pata mundësi t’ua deklarojë qartësisht dhe organeve të medias, nga takimet me Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë dhe Drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, u shfaq vullneti dhe angazhimi i Qeverisë dhe Prokurorisë për të vënë në jetë të gjitha masat e nevojshme për të penguar infiltrimin e krimit të organizuar në Institucionet shqiptare.

Prokuroria Kombëtare e Antimafias dhe Antiterrorizmit do të ofrojë, sikundër dhe në të kaluarën, çdo lloj mbështetje për institucionet gjyqësore dhe për Policinë shqiptare, për të luftuar sa më mirë krimin e organizuar transnacional.

Prokurori Kombëtar i Antimafis dhe Antiterrorizmit, Federico Cafiero De Raho

d.c./shqiptarja.com