Është bërë publik amaneti i shkrimtarit dhe akademikut të njohur Rexhep Qosja, i cili ishte shkruar nga vetë ai 10 vite më parë dhe i ishte besuar nipit të tij, Vilajet Rexhepit.

Në letrën e publikuar, Qosja i kërkonte nipit që kur të ndërronte jetë, varrimi i tij të bëhej vetëm në praninë e familjarëve të afët.

Në letër Qosja kishte shkruar se meqënëse kishte jetuar një jetë të thjeshtë, ashtu edhe dëshironte që të varrosej, pa fjalime, pa media dhe pa lule. Shkrimtari ka theksuar se, duke qenë se gjithë jetën e tij kishte qenë kundër sundimtarëve, nuk donte që asnjë zyrtar të ishte i pranishëm në ceremoninë e tij mortore.

Në kërkesën e tij drejtuar nipit, shkrimtari Qosja kishte lënë po ashtu porosi që të varrosej pranë varrit të gruas së tij, Shpresës. Rexhep Qosja ndërroi jetë ditën e sotme, dy muaj para se të mbushte 90 vjeç.

Letra e plotë:

NIPIT TIM VALJETIT

I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT

KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.

Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

Vdes i qetë.

Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua - këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.

Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

Gjyshi yt, Valjet

Rexhep Qosja

(nënshkrimi)

Prishtinë, 30.4.2016


Lajmi kryesor:

Lamtumirë Rexhep Qosja, akademiku i njohur shuhet në moshën 90-vjeçare! Familja: La amanet për ceremoni private! Politika: Shqiptar i rrallë