Ambasadori i Izraelit në Tiranë, Boaz Rodkin dha mbrëmjen e së enjtes një pritje me rastin e 67-vjetorit të Pavarësisë së Izraelit.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, si dhe deputetë të Kuvendit dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se, është një nder pjesëmarrja në ceremoninë për 67-vjetorin e Pavarësisë së Izraelit.
"Izraeli gjatë këtij viti feston 67-vjetorin e tij, ndërsa ne shqiptarët festojmë 70-vjetorin e fitores mbi fashizmin dhe përkujtojmë dëshmorët dhe shqiptarët që hapën dyert e tyre për hebrenjtë. Jemi krenar pasi asnjë hebre nuk iu dorëzua pushtuesit. Jemi krenarë që numri i hebrenjve në Shqipëri ishte më i madh pas luftës sesa përpara fillimit të saj", tha Meta.
Kreu i Kuvendit theksoi se, Shqipëria i kushton rëndësi rritjes së marrëdhënieve të gjithëanshme me Izraelin. Miqësia me Izraelin nuk bazohet vetëm në miqësinë e popujve, por edhe në kontributin dhe potencialet e shumta".
Ndërsa Ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin, në fjalën e tij u shpreh se në këto 67 vite pavarësi Izraeli ka ecur mjaft përpara duke u bërë një shtet I fuqishëm në disa sektorë si bujqësia, energjia etj.
Gjithashtu ambasadori Rodkin theksoi se sot Izraeli është krenar për demokracinë e vendosur në këtë shtet.
Rodkin falënderoi shqiptarët për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërorë, jo vetëm atyre hebrenjve që ishin këtu, por edhe atye që erdhën në Shqipëri nga vendet e tjera gjatë luftës.
Në një intervistë dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ambasadori i Rodkin theksoi se, Izraeli dhe Shqipëria ndajnë vlera të njëjta, interesa të përbashkëta dhe marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe.
Më pas, ceremonia vijoi me një sfilatë mode me veshje me motive izraelite nga stilistet Mirela Nurçe dhe Natasha Korn. /atsh/