Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar këtë të hënë pas përfundimit të mbylljes së përkohshme të qeverisë amerikane për shkak të fondeve buxhetore.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada rikujton edhe vizitën e muajit të kaluar të Drejtorit për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Mark Fleming.

Nga ana tjetër në postim shihen pamjet nga takimet e Fleming, me kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi, kreun e SPAK Altin Dumani, ministren e Brendshme Albana Koçiu dhe me prokurorin e SPAK Vladimir Mara.

‘Pas përfundimit të mbylljes së qeverisë për shkak të fondeve buxhetore, jemi gati të vazhdojmë punën tonë normalisht! Në rast se e keni humbur, patëm kënaqësinë të mirëprisnim muajin e kaluar Drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Mark Fleming, në Shqipëri. Drejtori Fleming u takua me udhëheqës nga i gjithë spektri politik, si dhe me institucione të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit, për të theksuar partneritetin e fortë SHBA–Shqipëri, për të përforcuar gatishmërinë e NATO-s dhe për të goditur organizatat kriminale ndërkombëtare’, thuhet në postim.