TIRANE- Ambasada Amerikane u bën thirrje shtetasve amerikanë të shmangin tubimet dhe takimet elektorale. Ambasada Amerikane në Tiranë, u kujton shtetasve amerikanë, se zgjedhjet e 23 qershorit po afrojnë dhe se ata duhet të jenë vigjilentë dhe të qëndrojnë larg tubimeve partiake, të cilat mund të kthehen, sipas saj, në burim dhune. Më tej, Ambasada Amerikane, i njofton qytetarët e saj në Shqipëri, edhe për zgjedhjet e 23 qershorit, duke i këshilluar që të shmangin prezencën e tyre në qendrat e votimit dhe numërimit.

“Zgjedhjet parlamentare për Shqipërinë, do të mbahen ditën e diel, më 23 qershor. Më shumë se 5 mijë qendra votimi do të qëndrojnë të hapura nga ora 7:00 deri në orën 19:00. Numërimi do të nisë menjëherë pas mbylljes së votimit në 89 qendra të numrit të votave. Me këtë rast, njoftojmë dhe kujtojmë, shtetasit amerikanë, që të qëndrojnë larg tubimeve, organizimeve, apo mitingjeve partiake, pasi në këtë kohë ato kanë një shans të madh të kthehen në gjeneratorë dhune. Ne u kujtojmë shtetasve amerikanë në Shqipëri, se edhe tubimet paqësore rrezikojnë të përshkallëzojnë në dhunë. Ndërkohë që zgjedhjet mund të jenë të qeta, incidentet sporadike dhe të izoluara që kanë ndodhur në të shkuarën, përbëjnë rrezik sërish. Shtetasit amerikanë duhet të jenë vigjilent, të qëndrojnë larg qendrave të votimit apo numërimit, pasi ekziston mundësia që të ketë grupime në afërsi të tyre. Ju bëjmë thirrje edhe njëherë, të shmangni çdo protestë, tubim, takim elektoral apo grupime të çdo lloji. Ju këshillojmë që të ndiqni të rejat më të fundit për t’u informuar mi gjendjen dhe mjedisin përreth”, shkruhet në deklaratën e të Ambasadës Amerikane. Më tej ambasada u jep shtetasve amerikanë edhe disa udhëzime të detajuara për ruajtjen e sigurisë personale. Kjo është hera e dytë që nga nisja e fushatës, që Ambasada e SHBA-ve, u drejtohet shtetasve të vet në Shqipëri për të njëjtën çështje. Kjo deklaratë erdhi pak orë përpara se Partia Socialiste të zhvillonte një takimin elektoral përmbyllës për Tiranën, i paracaktuar të mbahet në orën 19:30 tek sheshi “Nënë Tereza”.

(sg/shqiptarja.com)