TIRANË -  Një nga urdhrat ekzekutiv që presidenti amerikan Doland Trump firmosi sapo mori detyrën, prek edhe Shqipërinë: Ngrirja përkohësisht e të gjitha fondeve federale, kredive dhe ndihmave të tjera financiare, për të bërë një rivlerësim dhe riorganizim të tyre me më shumë transparencë mbi mënyrën se si do të shpenzohen dollarët e ndihmës ndërkombëtare jashtë kufijve të SHBA dhe për tu siguruar që të jenë efikase.

Nga ngrirja e fondeve preken institucionet e pavarura të drejtësisë në vendin tonë përfshirë SPAK-un bashkë me Gjykatën e Posaçme, të gjitha ministritë dhe institucionet e tyre në varësi, bashkitë, Kuvendi, si dhe OJQ-të. Mbështetja financiare amerikane do të ngrijë edhe për Agjencinë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC), Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Zyrën e Kryenegociatorit.

Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë, njoftoi zyrtarisht qeverinë shqiptare për pezullimin e fondeve të mbështetjes për një periudhë 90 ditore sipas urdhrit të Turmp, përmes një letre dërguar Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Sipas shkresës, ambasada kërkon që njoftimi të ndahet me të gjitha ministritë, institucionet dhe entet e tjera qeveritare që bashkëpunojnë përmes programeve ekzistuese të ndihmës së huaj të SHBA-së.

Nuk do të marrin më fondet nga qeveria e SHBA-ve, ministria e Financave, e Brendshmja (përfshirë Policinë e Shtetit), Ministria e Bujqësisë, e Drejtësisë (përfshirë drejtorinë e Burgjeve), e Arsimit, ministria e Turizmit, e Shëndetëisë, e Ekonomisë, e Instrastrukturës (përfshirë, KESH, OST, OSHEE dhe bursën shqiptare të Energjisë Elektrike), si dhe tre ministritë e Shtetit për Administratën Pulbike dhe Anti-korrupsionin, për Rininë e qeverisjen vendore. Urdhri ekzekutiv i Trump ngrin fondet edhe për institucionet e drejtësisë së re, të gjitha gjykatat në vend, përfshirë Kushtetueses dhe të Lartën dhe vetëm zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por jo prokuroritë e rrethit.

Në një reagim për mediat, ambasada e SHBA-ve, në Tiranë, risolli në vëmendjen deklaratën zyrtare të DASH, se arsyeja kryesore që çoi administratën Trump në pezullimin e ndihmës ndërkombëtare të financuar përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), është transparenca me taksapaguesit amerikanë se ku shkojnë paratë.

Pauza e përkohshme që administrata e Donald Trump vendosi të hënën për fondet jashtë kufjeve të saj, u vlerësua si marrje kohe për të rishikuar programet e agjencisë dhe për të marrë vendime financimi "në përputhje me ligjin dhe prioritetet e presidentit". Ngrirja e fondeve ishte e fundit në një seri veprimesh të ndërmarra nga administrata që nga kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Urdhri ekzekutiv i Trump për t'i dhënë fund shtetësisë së të drejtës së lindjes është përballur gjithashtu me sfida ligjore nga mbi 20 shtete. 

Fondet ndërpriten deri në një vendim të dytë për këto institucione
Ministria e Financave, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare
Ministria e Brendshme, duke përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Policisë dhe Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ministria e Drejtësisë, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve
Ministria e Mbrojtjes
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Ministria e Arsimit dhe Sportit
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët
Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përfshirë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX)
Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit
Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
Parlamenti, duke përfshirë komisionet e tij
Këshilli i Lartë Gjyqësor
Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Gjykata e Lartë
Të gjitha gjykatat, përfshirë gjykatat e apelit, gjykatat administrative të apelit dhe gjykatat e shkallës së parë
Struktura e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përfshirë Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit
Gjykata e Shkallës së Parë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm
Inspektori i Lartë i Drejtësisë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Dhoma e Posaçme e Apelimit
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK)
Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI)
Ministria e Shtetit dhe Zyra e Kryenegociatorit
Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC)
Te gjitha bashkitë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:21
Ngrirja e fondeve për institucionet shqiptare, reagon ambasada e SHBA: Urdhër i Trump, do rishikohen të gjitha programet! SHBA s'do të japë para verbërisht

1738166438_ambasadaamerikane.jpg

Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar pas njoftimit që është dërguar për ngrirjen e fondeve për institucionet shqiptare, mes tyre edhe SPAK. Ambasada e SHBA në Tiranë përmes një reagimi thotë se vendimi është marrë në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump për rivlerësimin dhe riorganizimin e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ambasada i referohet deklaratës për shtyp të Zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, të datës 26 janar 2025. 

Ambasada e SHBA shpjegon se është urdhri i Trump për rishikim të kujdesshëm të shpenzimeve dhe se SHBA s'do të japë para verbërisht.

Reagimi i ambasades amerikane për ndërprerjen e fondeve 

Në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Rubio ka pezulluar të gjithë ndihmën ndërkombëtare të SHBA të financuar nga ose përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për shqyrtim. Ai po fillon një rishikim të të gjitha programeve të ndihmës ndërkombëtare për të siguruar që ato të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA nën agjendën Amerika e Para.

Presidenti Trump deklaroi qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të japin më verbërisht para që nuk sjellin asgjë për popullin amerikan. Rishikimi dhe riorganizimi i ndihmës ndërkombëtare në emër të taksapaguesve që punojnë fort nuk është thjesht gjëja e duhur për t'u bërë, por është një detyrim moral. Sekretari është krenar që mbron investimet e Amerikës me një rishikim të qëllimshëm dhe të kujdesshëm se si ne shpenzojmë dollarët e ndihmës ndërkombëtare jashtë vendit.

Mandati i popullit amerikan ishte i qartë – ne duhet të ripërqendrohemi në interesat kombëtare amerikane. Departamenti dhe USAID-i e marrin shumë seriozisht rolin e tyre si kujdestarë të dollarëve të taksapaguesve. Zbatimi i këtij Urdhri Ekzekutiv dhe drejtimi i Sekretarit e çojnë më tej këtë mision. Siç ka thënë Sekretari i Shtetit Marco Rubio, “Çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim duhet të justifikohet me përgjigjen për tri pyetje të thjeshta: A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë?”

Ju faleminderit