Ambasada e SHBA-së: Vendimi për ndërtesën komunale në Mitrovicën e Veriut në kundërshtim me kërkesat tona

Ambasada e SHBA-së: Vendimi për ndërtesën komunale në Mitrovicën e Veriut në kundërshtim me kërkesat tona

Ambasada e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Kosovë tha të mërkurën se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për “largimin” e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.

Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut - një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiç, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta "lirojnë" objektin e tyre brenda tri ditësh.

Në përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ambasada amerikane tha më 23 gusht se SHBA-ja e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri, për t’u përmbajtur nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që shton tensionet.

“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, tha Ambasada amerikane në Kosovë.

Inspektorati komunal tha se nuk i është ofruar ndonjë dokumentacion në bazë të të cilit institucionet e Serbisë mund ta shfrytëzojnë atë objekt, dhe se institucionet e Serbisë ishin njoftuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe paraqesin dokumente ose kontratë për shfrytëzimin e objektit.

Në ndërtesën e kontestuar janë të vendosura katër institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit, njoftoi se "kryetarët jolegjitimë kanë shkuar një hap më tej dhe duan të na i marrin edhe objektet".

Në anën tjetër, nga komuna e Mitrovicës së Veriut thonë se zyrtarët e tyre i ka takuar nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili u ka thënë se “nuk ka asnjë dokument për objektin dhe se nuk e di se në pronësinë e kujt është."

Simiq është kryetar i Drejtorisë së Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor.

Lista Serbe pyeti edhe bashkësinë ndërkombëtare “a po respektohet në këtë mënyrë thirrja e tyre që kryetarët jolegjitimë të bëjnë vetëm punë administrative dhe të mos marrin vendime politike kundër qytetarëve të komunave tona?”

Kryetar i Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - kryetarët shqiptarë kanë marrë pushtetin në fund të majit, ndërsa në ndërtesat komunale kanë hyrë me ndihmën e policisë.

Ata i ka kundërshtuar ashpër popullata lokale serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit, nga të cilat kanë dalë ata kryetarë.

Banorët lokalë ka gati tre muaj që protestojnë para objekteve komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, duke kërkuar nga Policia e Kosovës që të tërhiqet dhe nga kryetarët shqiptarë që të mos dalin në punë.

Në këto tri komuna, deri në fund të majit, kanë funksionuar edhe komunat sipas sistemit serb.

Vetëm në Mitrovicën e Veriut ekziston një ndërtesë e veçantë komunale që funksionon nën sistemin e Kosovës dhe atje nuk ka pasur protesta./ REL

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbëri: 23/08/2023 22:21

    Ndertesa është e Kosovës e jo e ytja personalen o ambassdor leshi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë