Nëpërmjet një deklarate për mediat, Ambasada e Palestinës në Shqipëri shprehet se ndërkombëtarët pranojnë faktin se janë palestinezët ata që jetojnë në izolim nga pala izraelite dhe se sipas tyre Palestina duhet të vetëmbrohet, pasi vihet në diskutim jeta e të pafajshmëve përfshi gratë e fëmijët.
“Theksojmë se Bashkësia Ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara janë në dijeni të plotë dhe e pranojnë faktin se populli palestinez jeton në izolim dhe pushtim të plotë nga Izrael, si rrjedhojë populli palestinez, –sipas ligjeve ndërkombëtare, ka të drejtë të përdorë të gjitha mjetet për t’u vetëmbrojtur, për të fituar lirinë dhe pavarësinë, që të jetojë me dinjitet si çdo popull tjetër në botë.
Si pasojë e pushtimit dhe agresionit izraelit ndaj popullsisë së rrethuar të Gazës, me shumë se 100 persona kanë rënë viktimë, shumica e tyre gra, fëmijë dhe të moshuar. Nga këto sulme mbetën të vrarë 10 persona nga e njëjta familje “al-dalu” në Gaza dhe deri në momentet që po shkruajmë këtë përgjigje janë më shumë se 915 të plagosur.”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Ambasadës së Palestinës në Shqipëri.
Ambasada palestineze shkruan ndër të tjera se veprimet e Izraelit janë krime ndaj njerëzimit dhe se ndaj tij duhet dënim nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Rënda.
“Ndërkohë, ne nuk kemi konstatuar më parë asnjë deklaratë e cila bën përgjegjëse palën izraelite për zgjerimin e territoreve të saj (siç bëri Evropa dhe SHBA), apo për sulmet e armatosura izraelite ndaj popullsisë palestineze, djegur fshatra, kisha, xhamia, apo duke vrarë dhe dëbuar banorët e qytetit të Jeruzalemit, apo duke mbajtur të izoluar qytetin e Gazës për disa vite me radhë. Të gjitha këto konsiderohen krime dhe Izraeli duhet të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Rënda, megjithëse ne kemi kërkuar nga Izraeli më shume se disa herë që të ndalohet pushtimi, ne duke respektuar ligjet ndërkombëtare.”, thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës.
JA DEKLARATA E MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTME ME 16 NENTOR
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin për situatën e tensionuar në jug të Shtetit të Izraelit dhe në Rripin e Gazës, ku si pasojë e goditjes me raketa nga ana e lëvizjes terroriste Hamas në brendësi të territorit të Shtetit të Izraelit, si dhe kundërpërgjigjes izraelite, kanë humbur jetën civilë të pafajshëm nga të dyja palët, mes të cilëve fëmijë dhe gra.
Ministria e Punëve të Jashtme dënon ashpër sulmet raketore të Hamasit dhe fraksionieve të tij kundrejt Shtetit të Izraelit dhe bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe për rivendosjen e paqes. Njëkohësisht, kërkojmë nga palët të ndërmarrin veprimet e duhura për uljen e tensioneve dhe respektimin e ligjeve ndërkombëtare me qëllimin për të shmangur çdo cenim të sigurisë të jetës së civilëve.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)