TIRANË – Ambasada amerikane në Tiranë ka përkujtuar sot në faqen e saj zyrtare në Facebook Ditën e Përkujtimit në Shtetet e Bashkuara.

“Sot ne kujtojmë ata që dhanë jetën, që ne të vazhdojmë të jetojmë dhe të përparojmë”, thuhet në fillim të mesazhit.

Më pas vijohet me fjalët e Presidentit Obama me këtë rast: “Ne mund t’i nderojmë ata që kemi humbur, duke mbajtur gjallë idealet për të cilat ata dhanë jetën. Është detyra jonë, që të ruajmë lirinë, të çojmë përpara drejtësinë, e të mbjellim rrënjët e paqes. Me kurajë dhe përkushtim, që nderon heronjtë që përkujtojmë sot, le t’ia kushtojmë veten tonë këtyre detyrave të pafundme dhe të vërtetojmë edhe një herë se ditët më të mira të Amerikës janë akoma përpara saj. Le të lutemi që shpirtrat e atyre që ranë në luftë, të gjejnë paqen e përjetshme dhe le t’i mbajmë ata dhe familjet e tyre afër zemrës sonë, tani dhe përgjithmonë.”

Pak çaste më vonë, Ambasada ka postuar klipe, të grave dhe burrave që kthehen në shtëpitë e tyre pas shërbimit. "Në nderim të atyre që kemi humbur, ne ndajmë me ju gëzimin e atyre që janë kthyer. Merrni një minutë nga dita juaj, shiheni këtë klip dhe ndani dhe ju gëzimin e tyre", thuhet në mesazh.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)