Ambasadorët 2 orë e 20 minuta
 në PD, Lu: Votoni reformën 

Ambasadorët 2 orë e 20 minuta<br /> në PD, Lu: Votoni reformën 
Takimi i ambasadorëve Donald Lu e Romana Vlahutin me grupin parlamentar të Partisë Demokratike në selinë blu, ka përfunduar pas 2 orë e 20 minuta. Kjo ka qenë mbledhja më e gjatë e ambasadorëve, ndryshe nga një ditë më parë, kur takimi me grupin e PS zgjati rreth 40 minuta, ndërsa ai me LSI-në vetëm 20 minuta. Takimi i ambasadorëve me grupin parlamentar të PD nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 12:20.

Në këtë mbledhja ka munguar ish kryeministri Sali Berisha i cili mësohet se ka munguar për arsye personale. Një tjetër mungesë ishte edhe ajo e ish ministrit Genc Ruli i cili ka sqaruar mungesën e tij, duke theksuar se nuk u beson takimeve butaforike me ambasadorët. Ndërsa ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u largua më herët për shkak të angazhimeve të tjera. 

Gjatë mbledhjes së sotme me grupin parlamentar të PD, e para ka folur ambasadorja e Bashkimit Europian, Vlahutin e cila ka përcjellë një mesazh të prerë e të qartë për klasën politike shqiptare: "pa miratuar Reformën në Drejtësi nuk ka ndihmë nga BE ka thënë ajo në fjalën e mbajtur para deputetëve demokrat në mbledhjen e grupit parlamentar".

Gjithashtu, Vlahutin tha se akush nuk ka kërkuar të miratohet reforma pa u lexuar më parë.

Nga ana tjetër edhe amasadori Donald Lu është shprehur i vendosur në qëndrimin e tij në emër të SHBA lidhur me Reformën në drejtësi. Ai mësohet të ketë thënë se nuk do të ndalojë insistimin e SHBA deri në finalizimin e Reformës në Drejtësi
 
"Ne nuk do të ndalojmë insistimin tonë derisa të finalizojmë Reformën në Drejtësi, do të kërkojmë me çdo kush finalizimin e kësaj Reforme kaq të rëndësishme"-mësohet të ketë thënë Lu. 

Ky ishte takimi i fundit i ambasadorëve me grupet parlamentare, në vijim të përpjekjeve të tyrë për të gjetur konsensusin mes palëve. 

12:20 Lu: PD, rol të rëndësishëm në 25 vite të bëjë të njëjtën gjë për reformën
Pas përfundimit të takimit me grupin parlamentar demokrat, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu theksoi rolin e rëndësishëm të PD në 25 vitet e pluralizmit politik.
 
Ai tha se shpreson që të njëjtën gjë PD ta bëjë edhe për reformën në sistemin e drejtësisë.
 
“Partia Demokratike ka luftuar për ta mbajtur Shqipërinë sovrane, demokratike dhe të qetë. PD ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë postkomuniste të Shqipërisë. Kjo traditë duhet të vazhdojë edhe për reformën në drejtësi”, u shpreh Lu.
 
Nga ana e saj, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, tha se e rëndësishme nuk është vetëm miratimi i reformës në drejtësi, por edhe zbatimi i saj. Ajo theksoi se BE do të monitorojnë implementimin e reformës në drejtësi.
 
Mendoj se kemi sqaruar disa çështje që nuk ishin të qarta. Por më e rëndësishmja është që ne kemi rënë dakord se jemi partnerë dhe aleatë për të mirën e Shqipërisë. Dhe që në ditët në vijim, të gjitha energjitë tona do të kalojnë te kjo gjë, që reforma të kalojë. Zbatimi i kësaj reforme do të jetë i një rëndësie të madhe për BE. Ne do të sigurohemi që do të ketë një mekanizëm monitorues shumë serioz, që të sigurohemi që ajo e cila është shkruar në letër të bëhet një fakt konkret për Shqipërinë dhe qytetarët”, tha Vlahutin. 

Deklaratat e plota të ambasadorëve Lu e Vlahutin
Unë përfaqësoj një vend që për mëse 100 vjet ka luftuar për të mbajtur Shqipërinë sovrane, demokratike dhe të sigurt. Në 25 vitet e shkuar ne kemi punuar së bashku për të arritur gjëra të mëdha dhe fundin e komunizmit, fitoren e luftës në Kosovë dhe anëtarësimin në NATO. PD ka luajtur një rol vendimtar në historinë postkomuniste të Shqipërisë që kjo traditë të vazhdoj në kontekstin e reformës në drejtësi".
 
A i bindët demokratët që të votojnë z.Ambasador?
Vahutin: "Ky ka qenë një diskutim shumë i dobishëm, shumë i mirë dhe shumë konstruktiv. Mendoj se kemi sqaruar disa çështje që më parë nuk ishin të qarta. Por më e rëndësishmja është që në te gjithë kemi rënë dakord që jemi partnerë dhe aleatë për të mirën e Shqipërisë. Dhe që në ditët në vijim energjitë tona do të kalojnë në këtë gjë, që kjo reformë të përfundojë.
 
Natyrisht edhe zbatimi i kësaj reforme do të jetë i një rëndësie të madhe në veçanti për BE. Dhe ne do të sigurohemi që do të ketë shkruar në letra të bëhet realitet për njerëzit dhe qytetarët e këtij vendi".

 
Ora 11:50 Patozi e  Pollo debate me ambasadorët
Mbledhja e ambasadorëve të SHBA dhe BE, Donald Lu e Romana Vlahutin me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, po shoqërohet me debate.
 
Ka qenë deputeti i PD, Genc Pollo ai që e ka cilësuar presion nga ana e ambasadorëve, insistimin e tyre për miratimin e reformës në drejtësi.
 
Në përgjigje, Vlahutin i ka kujtuar ligjvënësve demokratë se nëse nuk miratohet reforma në drejtësi, atëherë procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, do të bllokohet për të paktën 3 vjet.  
 
Në këtë debat ka ndërhyrë edhe ambasadori i SHBA, Donald Lu i cili ka theksuar se ambasadorët nuk do të kapërcejnë “vijën e kuqe”, por reforma në drejtësi është kryefjalë e të gjitha reformave për Shqipërinë.
 
Debatet në mbledhjen e ambasadorëve me PD
 
Romana Vlahutin: Detyrimi im është t’ju tregoj avancimin e Shqipërisë nga këndvështrimi europian. Ne kemi investuar kapital politik, para dhe ekspertizë në Shqipëri. Në rast se nuk do ketë ndërhyrje të thellë dhe të fortë në këtë reformë nuk mund ta ndihmojmë Shqipërinë në rrugën e BE.

Donald Lu: Kam dëgjuar se keni filluar diskutimin mbi ardhjen tonë në mbledhje. Nuk do ketë kapërcim të ‘vijës së kuqe’. Prania ime është shprehje e rëndësisë së reformës, por jo urdhër…. Jemi të përgatitur për të qenë konstruktiv. Por duam edhe opozitë konstruktive. Kjo reformë të marrë miratim dhe të zbatohet. E vetmja pyetje është si do ta bëjmë? Duhet të ketë bashkëpunim të gjitha partive… OPDAT ka përgatitur një draft të mirë sipas rekomandimeve të Venecias.
 
Genc Pollo: Është e papranueshme ajo që kam lexuar në gazeta, se ambasadorët kanë deklaruar “se do të turpëroheni nëse nuk votoni tani reformën”. Kështu nuk pranohet, që t’i thuhet deputetit voto pa e lexuar. Trajtohet kjo reformë në mënyrë të pabesueshme. Po të kesh vërejtje për të, do të thotë se je hajdut, antievropian, antiamerikan…, etj.

Romana Vlahutin: Nëse nuk miratohet tani reforma në drejtësi, negociatat do bllokohen për të paktën tre vite. Unë nuk jam këtu t’ju them se si e bëni punën tuaj si ligjvënës, e vlerësoj rolin tuaj, por duhet t’ju them si e sheh BE këtë proces. 

Debate ka patur edhe mes deputetit Astrit Patozi e ambasadores së BE, Romana Vlahutin. 

Patozi: Unë mendoj për ndryshime tërësore Kushtetuese... A mendoni ju se duhet vetëm kjo reformë? 
Duhet nje kontrate e re sociale. Investimi juaj kaq i madh me kushte te pazakonta do ishte më i mirë po të bëhej për një kontratë të re me qytetarët, për një Kushtetutë të re, Republikë të re.

Vlahutin: Jam dakord me shqetësimin tuaj zoti Patozi. Për një republike te re dakord, por duhet bërë nga politika.

Ora 11:35 Topalli largohet nga mbledhja
Edhe pse u fut 5 minuta me vonesë në mbledhjen me ambasadorët, Topalli është larguar e para nga selia blu. Largimin ajo e ka justifikuar me faktin e axhendës së zënë. "Dola nga takimi sepse kisha lënë takim me ambasadorë të tjerë në orën 11:30. Nuk e mendova se do zgjaste një orë e gjysmë takimi në grup me ambasadorët", u shpreh Topalli.

Ora 10:30 Vlahutin: S'ka ndihmë nga BE pa Reformën
Sipas burimeve nga brenda mbledhjes së grupit, kryedemokrati Basha po sqaron gjithe rrugën që ka ndjekur PD për të finalizuar Reformën në Drejtesi duke e cilësuar atë jetike për proceset integruese. Ndërkohë që ka qenë ambasadorja Vlahutin e cila ka thënë prerazi që BE nuk do t'i ofrojë asnjë ndihmë Shqipërisë pa miratuar Reformën më të rëndësishme në sistemin e Drejtësisë

Ora 10:20 Topalli me vonesë në takimin me ambasadorët
Deputetja demokrate Jozefina Topalli ka mbërritur disi me vonësë në seli duke marrë parasysh se ajo edhe më herët është shprehur disi e rezervuar ndaj pranisë së ambasadorëvë në mbledhje

Kryetari Basha ka theksuar se nuk ka vend per te patur komplekse per nje mbledhje të tille pasi SHBA ka qenë mbështetësja kryesore e opozitës per Reformën ne Drejtësi.

10:15 Mungon edhe Genc Ruli: S'u besoj këtyre takimeve
Edhe ish ministri Genc Ruli mungon në takimin e PD me ambasadorët Lu e Vlahutin. Ai është shprehur se nuk u beson këtyre takimeve. Sipas tij, reforma në drejtësi nuk duhet të perceptohet si një reformë e imponuar nga ambasadorët. 

“Partinë e kanë mundësinë të thonë vullnetin për reformën. Vullneti për reformën tregohet me veprime konkrete, jo me takime butaforike me ambasadorë. Është dëm i madh për besueshmërinë e realizimit të reformës. Nuk duhet të perceptohet si një reformë e imponuar nga ambasadorët”, ka deklaruar Ruli. 

Ora 10:10 Berisha mungon në mbledhjen e PD: Arsyet personale
Ish kryeministri Sali Berisha ka munguar në mbledhjen e grupit parlamentar të PD me ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin. Burime pranë PD theksojnë se mungesa e Berishës ka qenë për arsye personale. Ai mësohet të jetë shprehur se i ka takuar vazhdimisht ambasadorët për reformën në drejtësi. 


vlahutin lu pd

vlahutin lu pd

vlahutin lu pd

Ora 10:00 Nis mbledhja e grupit të PD me ambasadorët
Ka nisur në këto momente mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike me ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin. Takimi i grupit të PD me ambasadorët vjen një ditë pas mbylljes së takimeve me deputetët e PS dhe LSI. 

Ambasadorët vijojnë përpjekjet për gjetjen e konsensusit mes palëve, që do të mundësonte edhe miratimin e reformës më të rëndësishme në këto 25 vite, atë në sistemin e drejtësisë. 

(s.m-l.q/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Media gjermane 'Merkur.de': Alpet Shqiptare në krye të destinacioneve më interesante për t’u vizituar në 2025

Media gjermane 'Merkur.de': Alpet Shqiptare në krye të destinacioneve më interesante për t’u vizituar në 2025