Ambasadorët e QUINT-it diskutojnë me Osmanin dhe Kurtin mbi marrëveshjen Kosovë-Serbi

Ambasadorët e QUINT-it diskutojnë me Osmanin dhe Kurtin mbi marrëveshjen Kosovë-Serbi

Osmani me ambasadorët e QUINT-t

Ujdia për zbatimin e marrëveshjes bazë, duhet të ketë parasysh parimet e miratuara në Kuvendin e Kosovës, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se "dakordimi rreth aneksit për zbatimin e marrëveshjes bazë duhet të ketë parasysh parimet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës rreth paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”.  Këtë deklaratë Presidentja Osmani e bëri pas një takimi që zhvilloi të hënën në mbrëmje me ambasadorët në Prishtinë të vendeve më të industrializuara QUINT dhe shefin e zyrës së BE-së në Kosovë.

Takimi u zhvillua vetëm tre ditë para ardhjes në Prishtinë të të dërguarit të BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak, në vizitën e tij të parë pas takimit të 27 shkurtit kur Kosova dhe Serbia pranuan propozimin e BE-së  që do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Presidentja Osmani në takim me ambasadorët e QUINT, ku u diskutua për hapat e mëtejshëm si edhe koordinimin e vazhdueshëm të Kosovës me aleatët, tha se "Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive karshi dialogut me Serbinë, dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për një proces i cili kontribuon në paqe, siguri dhe prosperitet të qëndrueshëm në vend e rajon”.

SHBA reagon pas kundërshtimit të opozitës

Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në pikën e fundit përfshin zotimin për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara Kosovë-Serbi, e që nënkupton që Prishtina zyrtare duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kjo çështje u bë shkak për një debat të ashpër në parlamentin e Kosovës tre ditë më parë ku dy partitë kryesore opozitare PDK dhe LDK, akuzuan kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili sipas tyre nga deklarimet e tij të mëhershme për "një marrëveshje finale me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ka sjellë "një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër”. Kundërshtimi i opozitës ka sjellë reagime të përfaqësuesve të SHBA-ve në Prishtinë, të cilët e mbështesin propozimin evropian dhe i bëjnë thirrje Prishtinës zyrtare që të nisin diskutimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. "Deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”, ka thënë për mediet lokale një zëdhënëse e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.

Ajo ka rikujtuar se, "SHBA në përpjekjet e saj të bashkërenduara për ta çuar përpara këtë propozim ka përfshirë konsultimet edhe me partitë opozitare të Kosovës”. "Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken në komunikimet e tyre të fundit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, nënvizuan se propozimi ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë Kosovën drejt stabilitetit më të madh rajonal, prosperitetit ekonomik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka thënë zëdhënësja e Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë.

Hoti: LDK-ja është kundër mashtrimit

Ndaj këtyre qëndrimeve të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë reagoi ish- kryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së në opozitë Avdullah Hoti, i cili shkroi se "LDK-ja është kundër mashtrimit, e jo kundër partnerëve të shtetit të Kosovës”. Sipas tij, forca politike që udhëheq me vendin më herët "e ka kundërshtuar Planin e Ahtisarit që ka sjellë pavarësinë” dhe ka kundërshtuar çdo gjë që është arritur nga e kaluara. "I ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet e dialogut në 10 vitet e fundit, disa prej të cilave kanë mundësuar shtrirje të sovranitetit në të gjithë territorin e vendit dhe i kanë siguruar Kosovës prezencë në forume ndërkombëtare. E ka kundërshtuar me dhunë marrëveshjen e parimeve të vitit 2015, e cila siguron zbatim të Kushtetutës së Kosovës në zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013. Ndërkaq, tani e njëjta forcë politike pranon të zbatoj të gjitha marrëveshjet paraprake dhe thirret në elemente specifike të atyre marrëveshje që sigurojnë kushtetutshmërinë në zbatim”, shkroi Hoti në profilin e tij social. Prandaj sipas Hotit, LDK tash në opozitë, është "kundër mashtrimit dhe për ruajtje të partneritetit me miqtë e Kosovës”.

Megjithë kundërshtimet e partive politike opozitare për një pjesë të propozimit evropian, takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbahet  më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell. Sipas diplomatëve perëndimorë, Bashkimi Evropian po përpiqet të përshpejtojë procesin që negociatat Kosovë-Serbi, të arrijnë në fazën e zbatimit./DW

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja tha 'garantohet vota parapëlqyese në 2/3 e listës', shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive

Kushtetuesja tha 'garantohet vota parapëlqyese në 2/3 e listës', shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive