TIRANE- Dy nga politikanët dhe ish-deputetët në Kuvend, Ilir Gjoni, ish- deputet i Partisë Socialiste si dhe Leonard Demi, ish-deputet i Partisë Demokratike janë dy kandidatët më të rinj për t’u bërë ambasadorë të Shqipërisë.

Të dy këto kandidatura, të propozuara nga Ministria e Jashtme janë thirur sot në një seancë dëgjimore në Kuvend, në Komisionin e Jashtëm, ku do jetë një seancë prezantimi të tyre e më pas do votohen.

Vetë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati bëri prezantimin e tyre.

Ministri tha se si Demi si Gjoni kanë qenë pjesë e politikës së jashtme dhe janw me integritet politik. “Janë dy njerëz që kanë dëshmuar integritet politik. Kanë arritur të ngrihen mbi dasite politike.”- nënvizoi ai.

Më pas Bushati do të mbajë një deklaratë për shtyp tek kryesia e Kuvendit.
 
Ish-deputeti Ilir Gjoni do të propozohet për ambasador i Shqipërisë në Zvicër, ku do zëvendësojë Mehemet Elezin, diplomat i përfolur si i emëruar poltikisht në këtë post, ndërsa Demi do të propozohet pranë misionit të NATO-s, ku pritet të zëvendësojë Artur Kukon.

Të dy këta emra kanë qenë anëtarë të Komisionit të Sigurisë në Kuvend, ku Demi ka qenë kryetari i këtij komisioni, ndërsa Gjoni nënkryetar. Duket se me propozimin e Demit, mazhoranca ka lënë mënjanë mëritë e vjetra kur ka qenë në opozitë, duke marrë parasysh se Demi vjen nga radhët e deputetëve të djathtë. Gjatë tetorit me propozim të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati kreu i shtetit ka bërë edhe lirimet e para nga detyra për disa ambasadorë të Shqipërisë në vende të ndryshme, ku ndërmjet tyre edhe liruar edhe ambasadori ynë në Zvicër.
 
Emra të tjerë që do i bashkangjiten lëvizjeve në diplomaci. Sipas Top Channel janë dhe Artur Kuko i cili deri tani mbante postin e ambasadorit tonë në NATO prej shumë vitesh, propozohet nga Ministria e Jashtme si ambassador në Gjermani. Adriana Hodbari e cila qarkullon brenda shërbimit diplomatic, është propozuar  si përfaqësuesja jonë në Strasburg. Roland Bimo është propozuar si ambasador në Vjenë.  
 
Sipas Kushtetutës, ministri i Jashtëm i propozon Kryeministrit kandidatët për ambasador, të cilat më pas i paraqiten Presidentit për emërim. Kandidaturat përpara se të propozohen te Presidenti, kalojnë në seancë dëgjimore, në Komisionin e Jashtëm. Relacioni i Kuvendit i bashkangjitet dosjes së secilit kandidat  që i dorëzohet Presidentit.
 
Të liruarit e parë në radhët e diplomacisë janë ambasadorët Ridi Kurtesi në Katar, Mehmet Elezi në Zvicër, Arben Çejku në Maqedoni, Shpëtim Çaushi në Serbi, Vili Minarolli në Austri e Ruhi Hado në Suedi. Arsyet e kërkesës së Ministrisë së Jashtme për t’i shkarkuar këta gjashtë ambasadorë të parë nuk është vetëm për arsye të përfundimit të mandatit, por dhe për çështje të arritjes së moshës së pensionit dhe emërimeve politike që janë bërë në disa ambasada.


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)