Gjatë një vizite që zhvilloi në qytetin e Korçës, duke iu referuar ankesave të shumta të mazhorancës mbi qëndrimin e opozitës së majtë, ambasadori bullgar Arnaudov i rikujtoi klasës politike shqiptare se në një vend demokratik, roli i opozitës është pikërisht ai i kritikimit të punës së Qeverisë.
“Opozita është opozita pikërisht për këtë. Kjo është demokracia. Kur ka mazhorancë ka një mazhorancë që drejton dhe ka një opozitë. Sigurisht, roli i opozitës është të thotë çfarë nuk shkon dhe çfarë është e duhur. E përsëris, ky është roli i opozitës: të kritikojë mazhorancën”, theksoi ambasadori.
Kryediplomati i Bullgarisë në Shqipëri tha se i takon elitës politike që të marrë vendime, të bëjë emërime e të caktojë njerëzit në pozicione të ndryshme, pa pranuar kështu të komentojë mbi emrat konkret të Visho Ajazi Likës që zëvendësoi në krye të SHISH Bahri Shaqirin.
Por, siç tha ai, qeveria ka përgjegjësinë për të zgjedhjet e duhura. “Lidershipit të vendit i takon të konsiderojë çfarë është më e mira për t’u bërë, në perspektivën e integrimit europian. Mendoj se i takon qeverisë, politikës zyrtare, të vendosë se çfarë duhet bërë në këtë drejtim”.
(im/shqiptarja.com)
