Ambasadori i Francës në Serbi, Jean Louis Falconi në një postim në Twitter shkruan se Franca nuk synon të vendosë “veto” apo as “partneritet të privilegjuar”, por mbështet anëtarësimin e plotë të Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE.

Në një intervistë për ‘FoNet’, Falconi tha se Franca i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Europian idenë e modernizimit të procesit të pranimit në BE, i cili do të bënte të mundur që vendet kandidate nga Ballkani, të cilat i kanë përmbushur kriteret në fusha të caktuara, të fillojnë t’i shfrytëzojnë përfitimet e tyre në vend që të presin fundin e procesit.

Ai shpjegoi se procesi aktual i pranimit të ngadaltë duhet të bëhet "më i shpejtë, më përparimtar, por edhe i kthyeshëm".

Sipas tij, rezultatet e procesit aktual të pranimit nuk janë të mjaftueshme, qytetarët nuk shohin asgjë konkrete, dhe procesi shpesh është i burokratizuar.

Jean Louis Falconi  tha se për Francën, ideja është që, kur një vend të përfundojë me negociatat në një fushë të caktuar, ai vend të jetë në gjendje të ulet në të njëjtën tryezë me vendet anëtare, të marrë pjesë në hartimin e politikave për atë fushë që ai ka përfunduar negociatat, por të mos ketë të drejtë vote.

Sipas ambasadorit francez, Macron ka konfirmuar disa herë se premtimi i BE për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të përmbushet, por ndërkohë BE duhet të funksionojë më mirë në lidhje me politikat e zgjerimit.