Ambasadori grek në vendin tonë, Leonidas C.Rokanas, komentoi nga Gjirokastra deklaratat nacionaliste në Shqipëri e Greqi, duke theksuar se nacionalizmi ekstrem nuk i shërben të ardhmes europiane. Sipas ambasadorit grek, qarqet e caktuara nuk meritojnë mediatizim dhe nuk shprehin frymën e vërtetë të marrëdhënieve mes dy popujve.

I pyetur në lidhje me paktin detar mes dy vendeve, ambasadori Rokanas theksoi se Greqia synon t'i përballojë të gjitha problemet që lidhen me këtë marrëveshje nën frymën e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe përmes dialogut të vazhdueshëm. Ndërkohë që për të është një marrëveshje e detit.

I pyetur në lidhje me kopmentin e tij në raport me deklaratat nacionaliste të qarqeve të caktuara në Greqi dhe kundërpërgjigjet ndaj tyre prej qarqeve shqiptare si dhe bë çfarë situate i vendos ky realitet i ri marrëdhëniet mes dy vendeve, ambasadori grek në Tiranë është shprehur se fryma e bashkëpunimit mes dy vendeve është ajo që i tejkalon të gjitha situatat. "Pata mundësinë të flas me kreun tuaj të bashkisë se si mund të përmirësojmë marrëdhëniet mes dy popujve të veriut të Greqisë dhe jugut të Shqipërisë dhe sesi kontaktet mund të shtyjnë përpara dhe marrëdhëniet me gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë dhe ti shërbejnë procesit të integrimit të vendit tuaj në BE.


Ne diskutuam dhe çështjen nacionalizmave ekstreme që janë të pranishme në të dy vendet. Nuk doja të shprehesha mbi veprime konkrete të partive dhe qarqeve konkrete në të dy vendet por nacionalizmi ekstrem nuk i shërben të ardhmes europiane. Komentet e mëtejshme nuk do të ishin në nderin e pozicionit tim. Dua të përqendrohem për të theksuar se prioriteti ynë është mbështetja e frymës së bashkëpunimit mes dy vendeve me mënyra praktike dhe mbështetja e hapave të Shqipërisë drejt BE", deklaroi ambasadori grek. Duke e konkretizuar më tej me deklaratat e "Aleancës Kuq e zi" dhe "Agimit të Artë" dhe ndikimin e tyre në marrëdhëniet mes dy vendeve, ambasadori është shprehur se integrimi në BE përjashton tonet nacionaliste. "Unë do t'iu përgjigjem duke thënë atë që ne duam dhe ne duam siç ju thashë më lart që marrëdhëniet tona të përmirësohen e të thellohen. Përpjekjet drejt BE përjashtojnë thirrjet nacionaliste nga të dy vendet. Qarqet e caktuara nuk meritojnë mediatizim dhe sigurisht që nuk shprehin frymën e vërtetë të marrëdhënieve mes dy popujve", tha Rokanas.

Por nuk ka qëndruar indiferencat as ndaj interesimit të gazetarëve në lidhje me marrëveshjen për kufirin detar. "Kjo nuk është një çështje që është ngritur kohët e fundit por një çështje e rëndësishme që ka ekzistuar prej një periudhe më të gjatë. Mbi kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë është realizuar tashmë një marrëveshje. Vullneti ynë lidhet në vijimësi me dëshirën për ti përballur të gjitha problemet që lidhen me këtë marrëveshje nën frymën e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe përmes dialogut të vazhdueshëm", tha ambasadori grek. Një qëndrimi i cili ka lënë për të kuptuar se për qeverinë greke marrëveshja e rrëzuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese shqiptare, me kërkesë të socialistëve shqiptarë, është ende në këmbë për ta. Pavarësisht se pala shqiptare përmes ministrit të Jashtëm Panariti më se njëherë është deklaruar se duhet të fillojnë negociatat për një marrëveshje të re me Greqinë për kufirin detar. Marrëveshje e cila do të jetë konform vendimit të Kushteueses, konventave ndërkombëtare por dhe pëlqimit mes të dy palëve.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 9 janar 2013

(ad.ti/shqiptarja.com)