TIRANE- Holanda mbështet idenë e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe në këtë kuadër inkurajon Shqipërinë në plotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Kreu i delegacioni holandez në vendin tonë, Martij de la Beij, duke vlerësuar progresin e arritur deri më tani, gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm, Bumçi, ka theksuar nevojë e intensifikimit të dialogut politik.

Ministri Bumçi vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehu vullnetin e palës sonë për intensifikimin e dialogut politik, përmes realizimit të vizitave të nivelit të lartë, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si ekonomia, investimet, turizmi, etj., duke theksuar se ka hapësira dhe potenciale ende të pashfrytëzuara.

Më tej, Ministri Bumçi falënderoi ambasadorin për asistencën në vazhdimësi që Holanda ofron përmes Programit MATRA, në mbështetje të reformave që po kryhen në vendin tonë.

Duke u ndalur në integrimin evropian të vendit, Ministri Bumçi vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Holanda në këtë poçes dhe informoi mbi progresin e bërë në këtë drejtim, duke siguruar se Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar për plotësimin e kritereve për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)