Ambasadori i BE në Tiranë Silvio Gonzato ka shprehur mbështetjen për institucionet e reja të drejtësisë.

Gjatë një takimi për projektin e BE-së për Drejtësinë Gonzato vuri në dukje se puna e tyre është çelësi për të çrrënjosur korrupsionin nga vendi.  

Për këtë arsye ai theksoi se Bashkimi Evropian do të qëndrojë në krah të Shqipërisë në arritjen e këtij objektivi.

“Ne mbështesim plotësisht institucionet e reja të drejtësisë dhe reformën në drejtësi të vitit 2016, e cila u mundësoi atyre të japin drejtësi për qytetarët. Puna e tyre është çelësi për çrrënjosjen e korrupsionit nga Shqipëria. Në komitetin drejtues të projektit EU4Justice, theksova se integrimi në BE varet shumë nga kontributi i tyre.

Dhënia në kohë, efektive dhe transparente e drejtësisë është çelësi për rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet. BE do të qëndrojë në krah të Shqipërisë në arritjen e këtij objektivi”, shkruhet në postim.