Ambasadori italian uron Bashën:
Cutillo linjë ndryshe nga Roma?

Ambasadori italian uron Bashën:<br />Cutillo linjë ndryshe nga Roma?
Ambasadori i Italisë në vendin tonë Alberto Cutillo vlerëson kontributin e kreut të PD Lulzim Basha për finalizimin e reformës në drejtësi. 

Në një letër që diplomati Italian i ka nisur kreut të opozitës vlerëson Partinë Demokratike dhe kreun Basha për punën e bërë në përcaktimin e tekstit të amendamenteve kushtetuese për reformën në sistemin e drejtësisë.
 
Ambasadori italian e cilëson këtë reformë një hap të parë kah drejtësisë të karakterizuar nga standardet europiane. "Dëshiroj t’Ju shpreh vlerësimin tim më të lartë për angazhimin dhe kontributin e Partisë Demokratike të kryesuar nga Ju në përcaktimin e tekstit të amendamenteve kushtetuese për reformën në sistemin e drejtësisë.Vendi nevojitet tashmë të angazhohet me të njëjtën ndjenjë e përgjegjshmëri në fazën jo më pak delikate të implementimit të reformës në drejtësi", shprehet Cutillo.
 
cutillo
(Letra e ambasadorit italian, Cutillo për kreun e PD, Basha)

Kryedipomati Italian shpreh besimin se edhe falë kontributit të PD, Shqipëria do të tregohet në lartësinë e duhur për këtë sfidë e do të dijë t’i përgjigjet integrimit europian të qytetarëve shqiptarë.
 
Letra e urimit, e cila u dërgua nga Cutillo, u shpërnda nga vetë Lulzim Basha nëpërmjet faqes së tij në Facebook, ku mund të gjesh edhe një përmbledhje të telefonatave që ka patur pas miratimit të reformës me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, që mban aktualisht Presidencën e BE-së, Miroslav Lajcak, dhe me ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, Viktoria Nuland. Kjo konfirmon atë, që Alberto Cutillo ishte i vetmi përfaqësues i komunitetit ndërkombëtar që uroi me shkrim kreun e opozitës, i cili u kontestua me forcë gjatë tratativave të gjata, si nga Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian, për obstruksionizmin e tij të vazhdueshëm dhe për kushtet e reja që ditë pas dite vendoste mbi tryezën e negociatave e që rrezikuan të hidhnin në erë votën konsensuale. 

Letra e ambasadorit italian duket se bie ndesh edhe me qendrimin e mbajtur nga eprori i tij i drejtpërdrejtë, ministri i Jashtëm italian Paolo Gentiloni, i cili, të nesërmen e miratimit të reformës, postoi në Twitter një mesazh urimi drejtuar kryeministrit Edi Rama: “Parlamenti miratoi reformën e drejtësisë duke modifikuar Kushtetutën. Sukses për Edi Ramën, lajm i mirë për Ballkanin dhe BE-në”. Nuk përmendet aspak “impenjimi dhe kontributi i Partisë Demokratike”, për të cilët shkruan Cutillo.

gentiloni

(Urimi i ministrit të Jashtëm italian, për miratimin e reformës)

 
A ka mundësi që letra e Cutillos të ketë qenë një tentativë për të “ekuilibruar”, në ballancimin diplomatik tipik të italianëve, entusiazmin e tepruar të treguar nga ministri i tij? Fakt është që në faqen zyrtare të Ambasadës italiane në Facebook botohet një deklaratë e përgjithshme urimi drejtuar të gjitha forcave politike për miratimin konsensual të reformës. “Ambasada e Italisë – lexohet në letër - përgëzon Parlamentin shqiptar për miratimin konsensual të ligjit kushtetues të reformimit të sistemit gjyqësor. Pas këtij rezultati të jashtëzakonshëm hapet faza jo më pak delikate e zbatimit të reformës në drejtësi. Me kontributin e të gjitha forcave politike Shqipëria mund ta fitojë këtë sfidë të mëtejshme, për t’iu përgjigjur aspiratave të qytetarëve shqiptarë për integrimin në Bashkimin Evropian”. 
 
Letra që Alberto Cutillo i ka dërguar Bashës nuk u publikua dhe, ndoshta, ambasadori, i cili ka marrë detyrën në Tiranë vetëm pak muaj më parë, synonte ta mbante atë konfidenciale. Në përpjekjen e dëshpëruar që të marrë mbi vete rolin e “babait të reformës së drejtësisë”, të cilën, në të kundërt, e pengoi deri në fund, Basha nuk hezitoi ta bënte menjëherë publik mesazhin italian, i cili, ama, ka mbetur i vetmi në FB e tij.     
 
Lëvdatat që Cutillo i bëri Bashës duket se kanë kapërcyer krizën në marrëdhëniet, që shpërtheu nga akuzat të cilat opozita, duke filluar nga lideri i saj faktik Sali Berisha, i bëri direkt dhe indirekt Italisë, duke e akuzuar për bashkëfajësi me ministrinë e Brendshme në skandalin (e supozuar) të përgjimeve. Të mbështetësh tezën se pajisja IMSI Catcher që disponon Zyra Interforce italiane është përdorur për të përgjuar në mënyrë të paligjshme eksponentë të politikës dhe të institucioneve, kjo është si të akuzosh zyrtarët në detyrë në Ambasadën italiane se kanë shkelur ligjin. Akuza të ngjashme janë bërë edhe më parë nga opozita dhe nga mediat e saj, kur linçuan publikisht një drejtuese të lartë italiane të Policisë, me shërbim në Tiranë, se "kishte devijuar hetimet mbi një trafik droge". Akuza, për të cilat edhe një herë doli se ishin pa asnjë bazë.
 
Që nga ardhja e tij në Tiranë në zëvendësim të ambasadorit Massimo Gaiani, Alberto Cutillo ka mbajtur një qendrim shumë larg atij të paraardhësit të tij. Në të kundërt të peshës politike që ka patur gjithnjë Italia në Shqipëri, me Cutillo-n Italia duket se ka kaluar në një plan të dytë, duke marrë mbi vete një rol krejtësisht margjinal në skenën diplomatike shqiptare. Një qendrim ky edhe më i pashpjegueshëm, po të marrësh parasysh “konkurrencën” që kundërvuri dy vjetët e fundit Italinë dhe Gjermaninë për rolin dhe ndikimin në rajon. Sjellja e largët e Cutillo-s u vu re sidomos me rastin e debatit mbi reformën e drejtësisë, kur në plan të parë dolën gjithnjë ambasadori amerikan Lu dhe e deleguara e Bashkimit Evropian Vlahutin, ndërkohë që në tetë muaj mbi këtë temë mbahet mend vetëm një deklaratë publike e Alberto Cutillo-s. Të paktën deri në urimet e dërguara dje Lulzim Bashës për miratimin e tekstit kushtetues.
 
Një humnerë krahasuar me vitet kur trioja diplomatike në skenën politike shqiptare ishte e përbërë në mënyrë të përhershme, nga ambasadori amerikan Arvizu, i deleguari i Bashkimit Evropian Sequi dhe ambasadori italian Gaiani.
 
Çfarë ka ndodhur ndërkohë? Është kjo një çështje karakteri që lidhet me personin e ambasadorit, apo një vijë e caktuar politike më e tërhequr, e vendosur nga Roma?          
 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse krijohen kaq shumë parti të reja në Shqipëri?

Kreshnik Spahiu: Pse krijohen kaq shumë parti të reja në Shqipëri?